Bello: Studentët e gazetarisë konstatojnë skandalin e diplomave
>Ka disa ditë që 120 studentë të gazetarisë po përpiqen të sensibilizojnë qeverinë e kryesuar nga Sali Berisha mbi një problem që lidhet në dukje me një standard, por në thelb ka të bëjë sa me të ardhmen e tyre, aq edhe me seriozitetin e strukturave të shtetit, u shpreh gjatë fjalës së tij Marko Bello. Fjala është për diplomat e universitetit të Tiranës, i cili ka disa vite që po aplikon sistemin e Bolonjës, 3+2, pra 3 vjet studim universitar dhe 2 vite studim për master.
Studentët e Fakultetit të Gazetarisë janë të parët që kanë konstatuar skandalin me këto diploma, të cilat nga forma duken si njoftimet e vdekjes, ndërsa në përmbajtje janë qesharake dhe aspak të denja për vajzat dhe djemtë që po studiojnë në dekadën e dytë të mijëvjecarit të tretë pas Krishtit, ose Erës së Re, tha Bello. Më tej ai tha se, ndryshe nga një vit më parë, kur diplomat kishin format serioz dhe merrnin në konsideratë propozimin e universitetit të Tiranës, varianti i sivjetëm është jashtë c'do standarti. Në këto diploma nuk shënohet as titulli që i jepet studentit, as emri i fakultetit, as nëse bëhet fjalë për një kurs të plotë ose të pjesshëm. Gjithashtu, në to është vendosur stema e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, kur mjafton stema e Republikës dhe Rektoratit. Këto palo diploma si letra bakalli, që i matrikullojnë studentët si deshtë dhe vicat e kooperativës, reflektojnë në fakt rrëmujën, mishmashin që ka mbërthyer Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, mungesën e vizionit të qeverisë mbi zhvillimin e arsimit në vëndin tonë dhe rivalitetin e pakuptimtë midis Ministrisë, nga njëra anë dhe Rektoratit të Universitetit, nga ana tjetër tha Bello. Ndër të tjera Bello tha se, meqënëse dështoi në procesin e zgjedhjes së drejtuesve të rinj në Universitete dhe fakultete, ministri i shkarkuar u hakmor, duke shtypur diploma që vetëm të tilla nuk janë. Pa dashur ta politizojmë këtë problem, pasi arsimi është dhe duhet të jetë një preokupim për të gjitha forcat poltikë dhe qytetarët e Republikës, nuk mund të mos evidentojmë arrogancën e shfrenuar, me të cilën u perballën studentët, kur ata u detyruan të trokasin në zyrat e shtetit të tyre. Janë fëmijë demokratësh e socialistësh, të majtë a djathtë në bindjet e tyre, por të gjithë janë nëpërkëmbur si të ishin të dënuar e jo perfaqësuesit më të nderuar të brezit të tyre. "Sa të jem unë në këtë dikaster, këto diploma nuk do të ndryshojnë. Nuk kam shumë kohë të humbas me kalamanllëqet tuaja," thuhet se ka qënë përgjigjja që u dha studentëve zv/ministrja e Arsimit, Tatiana Gjonaj, duke reflektuar nervozizmin, mungesën e transparencës dhe mbi të gjitha shkëputjen totale nga hallet e qytetarëve, karakteristikë kjo e kësaj qeverie, që cka thotë sot e harron nesër