E Shtunë, 31 Tetor 2026

I dënuari për përdhunim tenton vetëvrasjen për herë të dytë

Burrel Klodian Kurti vodhi fostoksinën që ishte hedhur për minjtë në burg. U kap para se të gëlltiste kokrrat

Një djalë i ri, i dënuar për përdhunim ka provuar për të dytën herë brenda pak kohësh të vetëvritet në Burgun e Burrelit. Rasti i fundit ka ndodhur dy ditë më parë, kur Klodian Kurti ka dashur të kryejë këtë veprim, pavarësisht se këtë radhë është parë nga gardianët, të cilët e kanë parandaluar. Vetëm pak kohë më parë, ai preu damarët dhe humbja e gjakut detyroi autoritetet ta dërgonin deri në Spitalin Ushtarak, pasi rrezikonte jetën. Burimet nga burgjet bëjnë të ditur se këtë radhë, sapo ai është kthyer në qeli, ka menduar sërish si të vetëvritet. Nga të dhënat mësohet se dy ditë më parë, ishte hedhur fostoksinë për minjtë në ambientet e burgut dhe 20-vjeçari ka vjedhur dy kokrra dhe ka tentuar t’i gëlltisë. Menjëherë, gardianët janë vënë në dijeni dhe kanë parandaluar këtë vetëvrasje, duke i gjetur edhe fostoksinën, që ia kanë sekuestruar. Më pas, ai është dërguar në qeli. 20-vjeçari Kurti, nga fshati Luzni i Dibrës, është dënuar me pesë vjet burg për përdhunim. Disa ditë më parë, rreth orës 02.00 të natës, i burgosuri i Burgut të Burrelit ka tentuar vetëvrasjen, duke prerë damarët. Gardianët e burgut kanë vënë re shumë shpejt përgjakjen e duarve të të dënuarit dhe menjëherë kanë ndërhyrë, duke e dërguar në dhomën e mjekimit të burgut. Menjëherë mjekët i kanë izoluar rrjedhjen e gjakut për momentin. Fillimisht Klodian Kurti është dërguar në spitalin e Burrelit, por përkeqësimi i gjendjes shëndetësore ka bërë që drejtuesit e burgut të kërkonin ndihmën e eprorëve të tyre. Burime zyrtare nga Burgu i Burrelit bëjnë të ditur se menjëherë ata kanë lajmëruar edhe Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, e cila ka kërkuar edhe ndihmën e Ministrisë së Brendshme për të dërguar një helikopter, me qëllim për ta dërguar Kurtin në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Sipas mjekëve të këtij spitali, të cilët kanë ndërhyrë për t’i dhënë ndihmën Kurtit, ai iu nënshtrua mjekimeve intensive dhe shpëtoi. Pas stabilizimit u dërgua sërish në burg. Ai e kishte kryer këtë veprim, pasi i kishin gjetur një celular dhe nuk donte të shkonte në izolim. Megjithatë, ka pasur edhe pretendime nga i dënuari, që sipas tij kishte aplikuar për leje për të vajtur në shtëpi dhe i ishte mohuar nga ana e drejtuesve të burgut. Klodian Kurti ishte arrestuar më 6 maj 2007 nga ana e Policisë së Dibrës, pas një denoncimi të kryer nga një gjimnaziste në fshatin e tij. 16-vjeçarja ka pretenduar se ai e kishte përdhunuar. Kurti është nga fshati Luzni i Dibrës dhe në momentin e kryerjes së krimit, ai i kishte zënë pritë vajzës V. L., në çastin kur ajo po kthehej nga shkolla për në shtëpi. Në fillim, Kurti tentoi ta mashtronte nxënësen e vitit të dytë, pasi jo shumë larg ndodheshin banorë të fshatit. Duke përfituar nga mospasja në qarkullim të njerëzve, në një moment të caktuar, Kurti ka tërhequr vajzën duke i mbyllur gojën me dorë dhe e ka tërhequr me forcë afër përroit të fshatit, ku edhe e përdhunoi.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›