Durrës, kthehet kapiteni i Brustel
Ai është nipi i heroit Mujo Ulqinaku, që deti e ka kthyer në një hero të vërtetë, ndonëse pa titull të akorduar. Ka vendosur të luftojë për të drejtat e marinarëve, të njerëzve që përballen me vështirësitë dhe pasiguritë jo vetëm të jetës së tyre, por edhe të familjeve që lënë pas. Lundrime për muaj të tërë nëpër dete e oqeane pa kontrata pune dhe harta detare, me rroga të papaguara, me anije të pasiguruara dhe në kushte jo të mira teknike. Armando e di që kjo është jo vetëm sfida e tij dhe e katër marinarëve të tjerë që u kthyen pas kërkimit të vazhdueshëm për riatdhesim, por edhe e shumë marinarëve të tjerë që punojnë në të njëjtat kushte. Vetëm pak orë pasi ka mbërritur nga Libia në Shqipëri ka takuar familjen e të afërmit, vajzën dhe djalin e vogël, ka kaluar natën në Tiranë, atje ku dhe jeton, dhe është kthyer buzë detit. Pavarësisht peripecive që ka kaluar në lundrimin e tij të fundit dhe problemeve të shumta që ka sot flota detare shqiptare ai nuk do të tërhiqet. Deti është pasioni dhe profesioni i tij. Armando Ulqinaku, kapiteni 43-vjeçar i anijes “Brustel” që u bllokua në Libi për shkak të detyrimeve që kompania kishte ndaj agjencisë detare dhe më pas të problemeve të tjera që pasuan është i pari që guxoi t’i nxjerrë në pah problemet që kalojnë të punësuarit e detit. Reagimet deri në fyerje, mohime të pagës që në ndonjë rast kanë arritur në përplasje fizike, i kanë detyruar marinarët e anijes shqiptare të vendosin që t’i drejtohen gjykatës për të marrë atë që u takon për punën e bërë gjatë 6-7 muajve të fundit. Disa prej tyre i kanë gjetur familjet në kushte vërtet të vështira ekonomiko-financiare, por edhe të tjerët kërkojnë të marrin atë që u takon. E dinë se të njëjtin problem kanë dhe marinarë të tjerë dhe që rasti i tyre do të shërbejë për t’u organizuar dhe krijuar mundësitë e zbatimit të legjislacionit shqiptar, Kodit Detar. “Ka një Kod Detar, por cili është autoriteti që duhet të ndjekë zbatimin e tij. Gjendja sot është e rënduar dhe duhet të organizohet Unioni Detar që në vendin tonë mungon për të qenë një zë i vetëm dhe zgjidhur nevojat bazë e vendosur marrëdhënie korrekte mes palëve, pa shkuar në përplasje të natyrës personale pikërisht sepse nuk funksionon ligji dhe autoritetet mbyllin sytë.”
ProblemetProblemet për të cilat dëshmon kapiteni Armand Ulqinaku i kapërcejnë ato të një anijeje, prekin situatën në të cilën ndodhet Flota Tregtare dhe ky nuk është vetëm mendimi i tij. Të tjerë njerëz të detit e pohojnë degradimin e flotës sonë që administrohet kryesisht nga njerëz që nuk kanë lidhje me detin dhe nuk i njohin konkretisht nevojat, detyrimet që kanë. Pas privatizimit të anijeve të Flotës shtetërore Detare, në det nisën të punësohen njerëz pa eksperiencën dhe edukimin detar. Për të shfrytëzuar krahun e punës dhe punësimin e dëshiruar të mjaft njerëzve në një punë dikur të shumëdëshiruar me pak miqësi dhe një kërkesë e pronarit të anijes të jep pasaportën e detarit. Ulqinaku thotë se është ndier me fat që ka punuar me një ekuipazh me eksperiencë, pasi problemet teknike dhe situatat e kaluara në vendet e Afrikës do të kishin qenë shumë më tepër të papërballueshme. “Nuk ka një regjistër detarësh. Nuk ka kontrata pune ku të përcaktohen konkretisht detyrat, diferencimet në paga mbi bazën e kualifikimit dhe eksperiencës në det. është për t’u përgëzuar fakti që janë hapur 2 qendra trajnimi për ata që duan të punojnë në det. Pra, duhet të kalojnë nga këto kurse para se të dalin në det. Ky është një sinjal mjaft pozitiv që gjërat duhet dhe do të ndryshojnë. Nuk është e thjeshtë të jesh detar. Edhe rangu më i ulët i atyre që kanë punuar deri në kohën kur Flota ishte shtetërore është shumë herë më lart se kushdo që e ka nisur punën në det më pas. Ka raste kur ka qenë ekskavatorist, njeh motorin e ekskavatorit dhe punon si motorist në anije. Kam qenë me fat në këtë drejtim, pasi kam pasur një ekuipazh me eksperiencë”, thotë Ulqinaku. Duke u ndalur në një tjetër problem, ai thotë se ende nuk ka një qendër mjekësore që të merret me detarët për të përcaktuar gjendjen shëndetësore të atyre që punojnë në det: “Kjo është e domosdoshme, pasi një problem shëndetësor i njërit ndikon në punën e të gjithë ekuipazhit dhe mund të sjellë pasoja të rënda”, shprehet ai. Vaksinimi paraprak i marinarëve thuajse nuk ekziston dhe arrihet të sigurohen “Yellow Card” (Kartat e verdha) kundrejt ryshfeteve në dëm të shëndetit të marinarëve, po që shmangin pagesat për vaksinimet në zonat e riskut nga sëmundjet epidemike, siç janë ato malarike. Ka njerëz që për hir të gjetjes së një pune dhe marrjes së një rroge të mirë joshen dhe pranojnë të dalin në lundrime të gjata në det, ndërsa vuajnë nga sëmundje kronike.
#