PR: Kandidatë në çdo bashki dhe komunë për zgjedhjet e ardhshme
Partia Republikane, pjesë e mazhorancës së djathtë, do të dalë në zgjedhjet e ardhshme lokale me përfaqësues të saj në çdo bashki dhe komunë të vendit. Ky ishte qëndrimi i kryetarit të Partisë Republikane, Fatmir Mediu, në Asamblenë Rajonale të kësaj partie, i mbajtur dje në Durrës. Sipas Mediut, zgjedhjet e ardhshme lokale janë një sfidë e re për PR-në, si forca e dytë politike e së djathtës. “Ne duhet të marrim në analizë qendër për qendër votimi, emër për emër, sipas listave të votuesve, sa vota kemi marrë gjithsecili në qendrën tonë të votimit, si janë numëruar ato vota. Do të gjejmë mënyrën t’i kombinojmë atë që kemi marrë në zgjedhjet e kaluara lokale me ato që dolën në zgjedhjet e përgjithshme”, bëri të qartë Mediu, duke theksuar se tashmë puna për përgatitjen e zgjedhjeve të ardhshme ka filluar. Në takimin e Asamblesë Rajonale në Durrës, Mediu theksoi se Shqipëria është në momente të rëndësishme historike dhe më shumë se kurrë pranë BE-së. Në këtë kuadër, kreu i PR-së ftoi opozitën të reflektojë, duke vendosur në plan të parë interesin kombëtar dhe jo interesat individuale të drejtuesve të PS-së.
#