E Diel, 1 Nëntor 2026

Katari nënshkruan një marrëveshje për intensifikimin e marrëdhënieve me vendin tonë

Shtypi i Katarit i ka kushtuar në vend të rëndësishëm vizitës së Kryeministrit Sali Berisha në këtë vend. Gazeta e Dohas, Gulf Times, shkruan se Emiri i Katarit, Sheikh Hamd bin Khalifa al-Thani, priti dje në një takim Kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha në selinë e Emiratit. Katari dhe Shqipëria ripërsëritën dëshirën për forcimin e marrëdhënieve në të gjitha fushat, veçanërisht në sektorin ekonomik. Duke folur në një konferencë të përbashkët për shtyp me Kryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm, Sheikh Hamad bin Jassim bin Jabr al-Thani, Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, tha se vendi i tij mund të marrë një kredi nga Katari për zhvillimin e infrastrukturës. Kryeministri i Katarit u shpreh se vizita e homologut të tij shqiptar forcon më tej marrëdhëniet e forta midis dy vendeve. Ai tha se të dy palët pranuan që Katari të dërgojë një delegacion në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, për forcimin e marrëdhënieve ekonomike dypalëshe. Kryeministri i Shqipërisë u shpreh se po zhvillon këtë vizitë në Katar me dëshirën e madhe për intensifikimin e marrëdhënieve midis dy vendeve, duke shtuar se biseda me Emirin Al-Thani dhe Kryeministrin e Katarit ishin të frytshme. “Unë jam i lumtur që vizita ime në Katar do të pasohet nga një vizitë e Emirit dhe Kryeministrit të Katarit në vendin tim”, tha Kryeministri i Shqipërisë. Më herët Shqipëria dhe Katari nënshkruan marrëveshjen për bashkëpunim në sektorin teknik, ekonomik dhe tregtar. Marrëveshje të tjera pritet të nënshkruhen në Tiranë. Kryeministri i Shqipërisë tha se vendi i tij do të hapë së shpejti një ambasadë në Doha, ndërsa ftoi biznesmenët e Katarit të investojnë në vendin e tij. “Shumë kompani nga Katari po punojnë në sektorin e turizmit në Shqipëri dhe kanë bërë një progres të shpejtë”, tha ai. Kryeministri i Shqipërisë u shpreh gjithashtu se vendi i tij mirëpret kompanitë e Katarit që operojnë në fushat e energjisë, shëndetit dhe arsimit. Ai tha se Emiri dhe Kryeministri i Katarit shfaqën interes të madh për projektin e gazit të lëngshëm në Shqipëri, një projekt në të cilin investitorët e Katarit janë të mirëpritur. Kryeministri i Shqipërisë vuri në dukje se Katari dhe Shqipëria kanë rënë dakord të lehtësojnë regjimin e lëshimit të vizave për qytetarët e tyre.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›