E Shtunë, 31 Tetor 2026

Malmstrom në Kosovë, së shpejti udhërrëfyesi për vizat

(i përditësuar)- Së shpejti Kosovës do t`i dorëzohet udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave.

Kështu ka deklaruar ditën e sotme Komisionerja Evropiane për Çështje të Brendshme, Sesilia Malmstrom, në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi.

Ajo ka vënë në dukje se koha kur do të ndodhë kjo, do të varet nga përmbushja e kritereve nga qeveria kosovare.

“E di që Kosova i kushton një rëndësi të madhe kësaj çështje. Sot po fillojmë dialogun, i cili është zotim politik që Komisioni e bën me popullin e Kosovës.

Duhet të identifikojmë se çfarë duhet të bëjmë për korrupsionin, krimin e organizuar, sigurinë e kufijve dhe të gjitha këto çështje. Urdhërryfyesi do ti dorëzohet së shpejti qeverisë dhe jam e bindur që entuziazmi i qeverisë dhe i popullit të Kosovës të vijojë kështu, në mënyrë që të ecim së bashku, në mënyrë që kjo të bëhet ralitet , tha më tej ajo.

***************

Komisionerja evropiane për çështje të brendshme, Sesilia Malmstrom, do të zhvillojë një vizitë dy-ditore në Prishtinë sot dhe nesër.  Qëllimi i vizitës së saj është shënimi i nisjes së dialogut me Kosovën për liberalizimin e vizave.

Malmstrom do të takohet sot me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe me anëtarët e kabinetit të tij. Gjatë vizitës në Kosovë, ajo gjithashtu ka planifikuar të takohet edhe me shefin e EULEX it, Ksavie Bu dë Marnak.

Ndërsa të premten, para largimit të saj nga Kosova, Malmstrom do ta realizojë një vizitë në shkollën “Selman Riza” në Fushë Kosovë. Ndërkohë, ministrja e Integrimit Evropian, Vlora Çitaku, ka deklaruar se në afat rekord Kosova do të arrijë të përmbushë kriteret e kërkuara nga KE.

Ajo nuk ishte në gjendje të thotë një datë, por beson se deri në fund të vitit 2012, Kosova do të arrijë të heqë vizat për qytetarët e saj. / Kosova.com

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›