Josa: Nuk ndihem nën presionin e shkarkimit te Vllaznia
Nuk e kam aspak frikë Tiranën, skam frikë as Liverpulin, dhe nëse do të ndeshesha. Fitojmë me bardheblutë dhe gjithçka është OK
I ftuar në një nga televizionet lokale të Shkodrës, trajneri i Vllaznisë, Mirel Josa, mbrëmjen e së hënës u ka dhënë përgjigje shumë dilemave që kanë të bëjnë me Vllazninë aktuale. Mënyrën si është ndërtuar, çfarë nuk shkon tek ajo, pse është kaq e thyeshme në ndeshjet në transfertë dhe po ashtu ka folur edhe për të ardhmen.
Ai ndër të tjera ka thënë se nuk ndihet nën presion për të ardhmen e tij në krye të kësaj pankine, por nga ana tjetër, e ka shprehur hapur se nuk e ka shumë mendjen aty. Nëse e shkarkojnë, do gjejë punë diku tjetër. Ja si u është përgjigjur ai disa pyetjeve të bëra në adresë të tij:
Josa, Vllaznia ka 6 pikë, pas 4 ndeshjeve të para të kampionatit. Si do ta gjykoni ecurinë?
Përgjithësisht jam i kënaqur me atë çfarë kemi marrë deri tani. Mund të kishim edhe ndonjë pikë më tepër, por vetë problematika që na ka shoqëruar në muajin gusht me ndryshimet e drejtuesve të klubit u reflektua në mënyrën si u ndërtua skuadra dhe disa probleme të tjera që u shfaqën. Kemi gabuar në ndeshjet jashtë, por të mos harrojmë se nuk kanë qenë fitore të lehta ato që kemi arritur me Laçin dhe Teutën në Shkodër.
Duke u ndalur te ndeshjet jashtë, duket qartë se Vllaznia nuk është ajo e sezonit të kaluar. Çfarë ka ndryshuar?
Së pari, dua të them se në ndeshjet me Kamzën dhe Kastriotin kemi humbur aq raste shënimi sa nuk kemi humbur vjet gjithë fazën e dytë. Kjo ka ndikuar disi në lojën e skuadrës, pa u ndalur edhe në faktorë të tjerë, si gjykimi, apo ndonjë tjetër, megjithatë, mendoj se në këtë drejtim kemi ende për të rregulluar.
Ka shumë komente në lidhje me blerjet. Drejtues të klubit thonë që keni qenë ju ai që keni vendosur për çdo gjë?
Po, këtë e konfirmoj edhe unë, por njëkohësisht e keni të qartë besoj edhe ju se nuk kishim shumë mundësi për të bërë zgjidhje të tjera. Popoviçin e kam marrë unë, për Petroviçin vendosëm ta marrim ngaqë u gjetëm të papërgatitur nga largimi i Rajoviçit dhe nuk kishim zgjidhje tjetër më të mirë, ndërsa për Muçën kam vendosur po unë.
Sapo kam marrë vesh që është hapur një dritare për ardhjen e tij, u kam thënë drejtuesve të klubit ta marrim me vrap. Është një lojtar që e njoh mirë, e përsëris, e kam marrë unë dhe do ta merrja ndoshta në çdo ekip ku do shkoja të punoja. Muça ka zënë vendin e Nallbanit, por ta keni të qartë se atë do të kisha kërkuar ta merrja sërish edhe nëse Nallbani do ishte sërish në skuadër.
Mendoni se e keni të plotë organikën e skuadrës tuaj?
Besoj se edhe ju e keni të qartë se në organikë, në krahasim me sezonin e kaluar, kemi më pak lojtarë cilësorë. Kjo është kompensuar me ardhjen e disa lojtarëve të rinj, që duan kohën e duhur të ingranohen. Pa harruar pastaj edhe faktin tjetër se në këto ndeshjet e para të kampionatit nuk i kemi pasur të gjithë lojtarët të gatshëm. Sinani qëndroi një muaj pa stërvitje, Nimani u dëmtua e po ashtu edhe Hasani. Alternativat u pakësuan dhe kjo ndihet.
Çfarë do ndodhë në janar me merkaton? Do ketë shumë ndryshime në skuadër?
Nga sa kuptoj unë, për momentin askush nuk e ka mendjen te janari. Prandaj dhe jam çuditur kur kam lexuar në ndonjë organ sportiv për ndonjë lajm të tillë se gjoja në janar do largojmë 6 futbollistë nga Vllaznia. Nuk e kuptoj kush e thotë këtë, sepse unë që jam personi përgjegjës për këtë gjë, nuk kam fare dijeni mbi këtë çështje dhe nuk di të jetë diskutuar kjo. Përderisa unë kam vendosur për të gjitha blerjet në gusht, duhet të vendos edhe atëherë dhe nuk duhet të merren njerëz të tjerë me këto gjëra.
Drejtuesit e klubit thonë se Vllaznia do jetë pretendente. Jua kanë kërkuar direkt këtë gjë edhe juve?
Vllaznia ka qenë gjithmonë pretendente dhe unë në fakt nuk e kam një kërkesë të tillë. Parimi im i punës është ti marrim ndeshjet një nga një dhe të mos shikojmë larg. Nëse e bëjmë punën mirë, sigurisht që do kemi pretendimet tona.
N/kryetarit të Bashkisë, Troshani, që pas ndeshjes me Kamzën i është bërë një pyetje për të ardhmen tuaj. Ndiheni nën presion?
Unë nën presion? Jo, nuk ndihem i tillë. Puna jonë si trajner kjo është. Një herë ngarkohemi me detyra, njëherë shkarkohemi. Nëse do iki nga Vllaznia, do gjej një skuadër tjetër, sepse ky është zanati im. Ashtu siç erdha te Vllaznia pasi më kishin larguar nga një skuadër tjetër. Megjithatë, nuk e shoh veten nën presion dhe këtë e them me sinqeritet.
Këtë të shtunë, sfida me Tiranën kryesuese. Ju frikëson kjo kundërshtare?
Mua nuk më frikëson jo Tirana, por as Liverpuli, nëse do ndeshem kundër tij. Kam shumë besim te djemtë që stërvis se do arrijnë të bëjnë punën e tyre dhe mendoj se do ta fitojmë ne këtë ndeshje, por ndërkohë nuk duhet të themi se do mundim Tiranën dhe këtu mbaroi puna. Duhet të punojmë për të krijuar një qëndrueshmëri në rezultate, sepse vetëm kështu mund ti arrijmë objektivat që kemi.
Sykaj, nga Franca në Poloni për Shpresat
Mbrojtësi i Vllaznisë, Arsen Sykaj, që u grumbullua nga trajneri i kombëtares për ndeshjen me Francën, menjëherë pas këtij takimi ka udhëtuar direkt nga Franca për në Poloni. Arsyeja ka qenë për tiu bashkuar kombëtares Shpresa për ndeshjen e saj të radhës. Fakti që Kuzhes nuk i është nevojitur për ndeshjen me Rumaninë, ka bërë që kapiteni i ekipit Shpresa të nxitojë për të ndihmuar ekipin e tij në ndeshjen ndaj polakëve.
Por këto udhëtime të gjata, natyrisht e kanë vënë në siklet trajnerin e tij tek Vllaznia Mirel Josa që sigurisht dëshiron që Sykaj së bashku me Vajushin të kthehen pa asnjë problem nga Polonia, sepse i duhen për ndeshjen shumë të rëndësishme me Tiranën ditën e shtunë.
Tekniku Plori, në një tjetër trajnim në FSHF
Duke filluar nga dje, zëvendëstrajneri i Vllaznisë, Elvis Plori, ka nisur një trajnim disaditor që organizohet nga Federata Shqiptare e Futbollit, një kurs i ri dhe që vjen për herë të parë në vendin tonë. Pikërisht pjesë e këtij licensimi të veçantë, për preparatorët atletikë për futbollin do jetë edhe Plori, i cili pasi ka marrë licensën A për trajner futbolli, më e larta në Shqipëri.
Tani kërkon ti shtojë CV-së së tij profesionale edhe një tjetër mandat tjetër, shumë i domosdoshëm për trajnerët e futbollit: atë të preparatorit atletik për futbollin.Ndihmësi i Josës në këtë mënyrë kërkon të plotësohet sa më mirë në kuadrin e formimit të tij profesionale dhe kjo tregon ambicien e tij për të ndjekur çdo kurs që i nevojitet për këtë gjë.
