E Shtunë, 31 Tetor 2026

Malstrom-Bashës: Mbështetje për liberalizimin e vizave

BRUKSEL- Komisionerja për çështjet e Brendshme dhe Drejtësinë e Komisionit Europian Znj. Cecilia Malstrom ka vlerësuar progresin e Shqipërisë në përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave dhe ka siguruar Ministrin e Brendshëm Z. Lulzim Basha se për këtë çështje do të ecet shumë shpejt drejt një vendimmarrje pozitive.
Kështu thuhet në një deklaratë për shtyp të ministrisë së Brendshme e cila i referohet pjesëmarrjes së Bashës në seancën dëgjimore në komisionin për liritë civile, drejtësinë dhe cështjet e brendshme në Parlamentin Europian.

Ministri i Brendshëm paraqiti arritjet e dikasterit që drejton në kuadër të liberalizimit të vizave në fushën e sigurisë së dokumenteve, kontrollit kufitar, rendit publik, sigurisë dhe rezultatet në luftën kundër kriminalitetit. Zonja Malstrom gjatë takimit me Bashën vlerësoi si impresionuese progresin e bërë në drejtim të liberalizimit të vizave.

“ Unë do të finalizoj raportin dhe do ta diskutoj me shtetet anëtare dhe Parlamentin para propozimit. Përfundimisht, çështja e vizave është duke shkuar në drejtimin e duhur dhe jam e impresionuar nga puna e qeverisë shqiptare. Kriteret janë transparente, janë të lehta për t'u vlerësuar dhe kjo është mënyra për të ecur përpara. Shpresoj se ne do kemi shumë shpejt një vendimmarrje pozitive,- deklaroi Komisionerja Malstrom pas takimit. Ndërkohë Basha u shpreh se Shqipëria insiston në një vlerësim objektiv dhe të ndershëm të procesit.
(m.a/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›