E Shtunë, 31 Tetor 2026

Malta i merr pikë Shqipërisë

Autori i Lajmit: Red.
Kombëtarja shqiptare e drejtuar nga tekniku holandez Ari Han nuk ka arritur të marrë më shumë se një barazim pa gola në kryeqytetin e Maltës La Valeta. Një pjesë e parë me raste të mira për të shënuar për “kuqezinjtë”. Në minutën e 10-të sulmuesi shtatlartë Bogdani nuk ka mundur të fusë topin në rrjetë. Maltezët më pas janë detyruar të luajnë me kundërsulme, falë epërsisë së Kombëtares sonë, por asgjë për t u shënuar në të dyja portat. Do të duhej të vinte minuta e 31-të ku në rastin më të pastër për të shënuar, përsëri Bogdani nuk ka mundur të përcjellë në portë topin e marrë nga Skela. Ka përfunduar në barazim 0-0 pjesa e parë e ndeshjes Maltë-Shqipëri, e vlefshme për grupin 1 të eliminatoreve të kampionatit botëror “Afrika e Jugut 2010”. Pjesa e dytë që në fillimet e saj ka qenë shumë e keqe dhe me nervozizëm nga ana e futbollistëve shqiptarë. Këtë e tregojnë edhe kartonat e verdhë. Malta, duke kuptuar këtë faktor, është hedhur tërësisht në sulm duke rrezikuar seriozisht për të shënuar në portën e Hidit, jo pak, por tre-katër raste. Gjithsesi, si portieri Hidi, por edhe Lila kanë mundur që të ruajnë rezultatin e bardhë 0-0, duke bërë kështu që Shqipëria të largohet nga Malta vetëm me një pikë. Malta nga ana e saj ka arritur që të ndryshojë historinë duke i marrë pikë Kombëtares sonë në ndeshje zyrtare. Shqipëria renditet në vendin e 79-të në klasifikimin e FIFA-s, duke humbur 1 pozicion nga klasifikimi i muajit të mëparshëm, kur ishte e 78-ta. Kjo renditje u bë publike sot, kur FIFA shpalli klasifikimin e skuadrave përfaqësuese për muajin shkurt. Shqipëria është renditur gjithashtu në vendin e 37-të në renditjen e përfaqësueseve të UEFA-s. Në këtë periudhë, përfaqësuesja shqiptare nuk ka kryer asnjë ndeshje dhe asnjë grumbullim, çka ka bërë që të fitojë vetëm 11 pikë për periudhën 14 janar-11 shkurt. Kundërshtari i Shqipërisë në eliminatoret e Botërorit, i pozicionuar më mirë, është Portugalia, e cila renditet në vendin e 12-të, me e humbjen e 1 pozicioni nga klasifikimi i muajit të kaluar. Kundërshtarët e tjerë të Shqipërisë në eliminatoret e Botërorit Afrika e Jugut 2010 , kanë fituar pozicione këtë muaj. Suedia ka fituar 6 pozicione dhe renditet në vendin e 25-të Danimarka ka fituar 2 pozicione, duke u renditur në vendin e 34-të; Hungaria është renditur në vendin e 43-të, duke fituar 4 pozicione nga muaji i kaluar. Vetëm Malta, e renditur në vendin e 154, ka humbur 6 pozicione këtë muaj. Rezultatin më të mirë, Shqipëria e arriti në gusht 2006, kur renditej e 62-ta, ndërsa rezultatin më të ulët, në gusht të 1997, kur u rendit në vendin e 124-t. Tri vendet e para të renditjes botërore nuk kanë ndryshuar këtë muaj. Në krye të klasifikimit renditen sërish kampionët e Evropës, Spanja; në vendin e dytë, Gjermania dhe në të tretin, përfaqësuesja e Holandës.

Minutë pas minute
1 Topin e parë e luan përfaqësuesja malteze, që është veshur komplet në të kuqe, ndërsa ajo shqiptare plotësisht me të bardha.
Min 10: Skela harkon mirë nga krahu i djathtë. Bogdani godet me kokë, por topi përfundon jashtë.
Min 13: Ansi Agolli ndëshkohet me kartonin e verdhë për ndërhyrje të rrezikshme.
Min 16: Harkim i Bulkut në zonë për Currin, që me kokë fton Beqirin, por është më i shpejtë portieri maltez që e nxjerr topin në goditje këndi.
Min 17: Kundërsulm i maltezëve, Mifsud ka mundësi të shënojë, por topi përfundon jashtë.
Min 28: Harkim i Agollit për Dallkun, por ndërhyn portieri maltez.
Min 29: Harkon Dallku nga e djathta, Bogdani rrezikon me kokë, por gjendet në pozicion jashtë loje.
Min 31: Harkim i Likës nga e majta për Skelën, ky i ofron një mundësi të shkëlqyer Bogdanit që gjuan, por pret portieri Haber.
49 Endri Vrapi u ndëshkua me karton të verdhë. I dyti karton për Shqipërinë pas atij të Agollit në pjesën e parë.
58 Skeri rrezikoi portën tonë, pasi mori një pas të artë nga Kohenn, duke shfrytëzuar rreshtimin e gabuar të mbrojtjes sonë. Dy raste të pastra për Maltën.
60 Një tjetër gabim i Dallkut, duke i dhënë mundësi Mifsudit të drejtohet drejt portës sonë. Isli Hidi ia hoqi me këmbë topin jashtë zonës, duke shpëtuar portën tonë nga goli i sigurt. E çorientuar mbrojtja jonë, ndryshe nga pjesa e parë më e organizuar.
62 Skela krosoi nga e majta e sulmit tonë, por topi i goditur në zonë nga Duro ishte i lehtë dhe jashtë kuadratit.
70 Malta bëri ndërrimin e parë. Doli sulmuesi Skeri dhe në vend të tij hyri Brifa, i cili luan në Maltë me Valetën.
75 Besart Berisha në vend të Erjon Bogdanit. Sulmuesi kosovar, i cili luan në Danimarkë me AC Horsens, mund t i japë më impuls sulmit shqiptar.
80 Hani ndërhyri sërish. Hodhi në fushë mbrojtësin Andi Lila në vend të Kristi Vangjelit, i cili nga ana e tij në fillim të pjesës së parë kishte zëvendësuar Ansi Agollin.
85 Andi Lila u ndëshkua me karton të verdhë. I treti për Shqipërinë.
89 Klodian Duro ekzekutoi një goditje të lirë nga 25 metra, por krosimi i mesfushorit të Omonias në kampionatin qipriot u neutralizua nga mbrojtja malteze.
90 +3 Përfundimisht 0-0, edhe pse e gjithë skuadra, tifozeria kuqezi kishin shpresuar në fitore. Barazimi i tretë 0-0 në eliminatoret e Kampionatit Botëror pas atyre me Suedinë në Tiranë e Portugalinë në Braga.

Tifozë kuqezi” në Maltë
Atmosfera në “Ta Qali” në prag të fillimit të ndeshjes ishte entuziaste, ku nuk mungoi aspak dekori kuqezi. Në një lidhje direkte për Televizionin Shqiptar nga stadiumi ku u luajt ndeshja, përkthyesi i Ari Hanit, Ajet Xeka, tha se ka më shumë se 100-200 tifozë shqiptarë të pranishëm në stadium. Gjendja e lojtarëve, sipas tij, ishte optimale.

MALTË-SHQIPËRI 0-0
Eliminatoret e Kampionatit Botëror
“Afrika e Jugut 2010”
Grupi 1, Zona evropiane
11 shkurt 2009, ora 19:30
Stadiumi Kombëtar Ta Qali, Maltë
MALTA: Haber, A. Agius, Dimech, G.Agius, Bajada, Samut, Kohen Muskat, Skembri, Skeri, Mifsud. Trajner: Dushan Fitzel
SHQIPËERIA: Hidi, Dallku, Beqiri, Curri, Agolli, Duro, Lika, Skela, Bulku, Vrapi, Bogdani. Trajner: Ari Han
Në stol: Ujkani, Lila, Vangjeli, Bakaj, Salihi, Berisha, Sukaj
Ky lajm është publikuar: 12/02/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›