Korçë, 1.1 mln lekë për shkëmbin në Zëmblak
KORÇE- Shkëmbi gjigand që i bën hije fshatit Zëmblak në Korçë, nuk do të përbëjë më rrezik për banorët. Së fundmi ata janë njohur me një vendim të qeverisë për akordimin e 1.1 milionë lekëve për ndërhyrjen urgjente në të. Pas çeljes së këtij fondi do të kryhet tenderimi për sistemimin e shkëmbit masiv, që qëndron në krye të fshatit me 3300 banorë. Shkëmbi kishte nisur të rrëshqiste, ndërsa banorët jetonin çdo ditë me ankthin e rrokullisjes, pasojat e së cilës merreshin me mend nga të gjithë. Çelja e fondit 1.1 milionësh nga grandet konkurruese u bë i mundur pas hartimit të një projekti, që synon të frenojë lëvizjen e këtij masivi. Ky shkëmb ndodhet 150 metra larg nga shtëpitë e banimit dhe është vendosur në pjerrësinë e shpatit të një kodre me një kënd prej 60 gradë. Në sajë të lëvizjeve tektonike, por edhe të zgavrave që kanë krijuar mbi të kushtet atmosferikë, është arritur që në disa vende të shkërmoqet dhe të zbulohet dukshëm bazamenti i tij. Ishte kjo arsyeja që banorët e Zëmblakut kërkuan, që në muajin mars të vitit të kaluar, ndërhyrjen urgjente për t'i paraprirë ndonjë katastrofë të mundshme. Prefektja e Korçës, Elfrida Zefi ngriti një grup ekspertësh pas ankesës së banorëve. Pas verifikimit në vend të shkëmbit, rezultoi se fshati ishte në rrezik. Specialistët hartuan një akt të ekspertimit teknik, nëpërmjet të cilit u dhanë edhe rekomandime për parandalimin e rrezikut. Ky grup hartoi edhe një projekt konkret për një investim sa më të shpejtë. Projekti iu dërgua më pas Ministrisë së Brendshme dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave. Sipas këtij, projekti parashikohen hedhja e 50 metrave kub beton arme për veshjen dhe mbushjen e bazamentit të masivit shkëmbor, veshjen me rrjetë gabioni, gërmime dheu e hapje kanalesh në pjesën e sipërme të shkëmbit për kullimin e ujërave, etj. j.gj