Arrestohet i kërkuari i "pafajshëm"
SARANDË- Një person i shpallur në kërkim nga Policia e Sarandës, prej më shumë se një viti, është vënë në pranga mesnatën e së enjtes. Operacioni për kapjen e 30-vjeçarit, Stefan Gjinika, u krye në fshatin e tij, Çukë. Ai akuzohej për "mbajtje dhe shitje të lëndëve narkotike". Burime të policisë bënë të ditur se pas arrestimit të tij, disa orë më pas, ai u la sërish i lirë nga Komisariati i Sarandës. Kjo për shkak se avokati i tij ka paraqitur një vendim të Gjykatës së Apelit, e cila e kishte shpallur Gjinikën të pafajshëm për akuzën e ngritur. Policia nuk ishte njohur me një vendim të tillë, ndërsa ekzekutoi urdhrin e arrestit që ishte lëshuar ndaj tij që në vitin 2007. Pasi është marrë për disa orë në pyetje, i riu bashkë me avokatin e tij i kanë vënë në dispozicion bluve vendimin e pafajësisë. sh.d