E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mamurras, treni përplas kryebashkiakun

Aksidenteve të shumta që ndodhin në vendet ku kryqëzohet rruga e makinave me hekurudhën, dje për pak i është shtuar një tjetër viktimë, kreu i Bashkisë së Mamurrasit. 

MAMURRAS/ ROLAND NIKOLLI

Dedë Ndreca nuk e ka parë trenin që ishte vetëm pak metra larg, kur ka tentuar të kalojë shinat për të shkuar në punë. Mjeti që drejtohej nga shoferi personal i kreut të bashkisë është marrë zvarrë rreth 30 metra nga treni i linjës Tiranë–Shkodër. Ngjarja ndodhi në rrugën që lidh fshatin Fushë-Mamurras me qytetin, vetëm pak metra larg stacionit të trenit. Pas ngjarjes, kreu i bashkisë, Ndreca është çuar në Spitalin Ushtarak për të marrë ndihmë mjekësore, pasi kishte marrë disa plagë të lehta, kryesisht në krah. Ndërsa shoferi i tij nuk ka pësuar dëmtime. Pas marrjes së ndihmës së parë, Ndreca doli nga spitali dhe shkoi në banesën e tij. Dje, shumë miq, të afërm dhe komshinj të Ndrecës kanë shkuar në shtëpinë e tij dhe e uruan për “shpëtimin”. “Në momentin që po kalonim kryqëzimin mbi shinat e trenit, ne nuk e vumë re fare trenin që po afrohej. Në dy pjesët anësore të shinave ka pemë dhe ferra, të cilat nuk të lejojnë të shikosh dhe kontrollosh linjën hekurudhore”, tha Dedë Ndreca dje, pas kësaj ngjarjeje që për pak u shndërrua në fatale për të. Ai fajëson për këtë situatë të krijuar Drejtorinë e Hekurudhave, e cila sipas tij, nuk ka marrë masa për të mos rrezikuar jetën e banorëve të zonave përreth shinave. “Këtë radhë ndodhi me mua. Nesër mund të ndodhë me dikë tjetër. Nuk është rasti i parë që ndodhin aksidente në këtë kryqëzim, që nuk është më shumë se pesë metra larg stacionit të trenit. Me këtë gjendje që është, raste të tjera do të pasohen, nëse Drejtoria e Hekurudhave nuk merr masa. Duhet patjetër që të vendosen tabela sinjalizuese”, u shpreh Ndreca, i cili ende nuk e ka marrë veten dhe është i tmerruar nga ngjarja, që i ndodhi që në orët e para të mëngjesit, teksa ishte nisur të shkonte në punë. Në rrugën ku ndodhi ngjarja e djeshme nuk janë të vendosur trarë për mjetet, të cilët duhet të ndalojnë në oraret kur vjen treni. Në këtë aks janë bërë disa herë aksidente. Aty kalojnë dhjetëra makina e qindra banorë, por ende nuk është marrë asnjë masë për të parandaluar tragjedi të mundshme. Dëshmitarë okularë në vendin e ngjarjes pohuan se, në momentin që makina e Ndrecës po kalonte mbi shinat, treni po i afrohej stacionit. “Pamë kur treni u përplas me makinën dhe e mori përpara rreth 30 metra, derisa mjeti më pas doli nga shinat”, tha një banor i zonës i cili u gjend afër vendit, ku ndodhi aksidenti dje. Makinisti i trenit ka mundur të ndalojë rreth 100 metra më tej. Ai është marrë në pyetje për këtë ngjarje, e cila sipas policisë ka qenë aksidentale. Pas pak minutash, treni i linjës ka vijuar sërish udhëtimin, ndërkohë pasagjerët që ndodheshin në të janë tmerruar nga përplasja.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›