Man Booker për Julian Barnes

Barnes 65-vjeçar është një shkrimtar londinez të cilit çmimi më prestigjioz i letërsisë britanike i iku për tre vjet rresht kur, edhe pse i nominuar, dhe favorit i bastoreve për të triumfuar, ai iu nda autorëve të tjerë.
Barnes ishte in pranishëm gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimit me vlerë prej 50,000 funtash, që u mbajt të martën mbrëma në Londër, në sallën Guidhall.
Ish-shefja e shërbimit të fshehtë britanik, Stella Rimington, e cila e udhëhoqi panelin e jurisë së sivjetme të Mann Booker, iu tha gazetarëve se:
“Ne menduam se ky ishte një libër që, ndonëse i shkurtër, ishte shumë i ngjeshur dhe i pasur në një hapësirë aq të ngushtë, duke ofruar përplot informacione, të cilat nuk mund t’i nxirrni që në leximin e parë”.
“Është ky një nga ata libra që, ndonëse të qartë, nëse mund ta shfrytëzoj këtë fjalë, duhet lexuar jo vetëm një, por dy apo edhe tre herë”, shtoi ajo.
Në fakt, me vetëm 150 faqe, romani i Barnes “The Sense of an Ending” (Ndjenja e Përfundimit) ishte romani më i shkurtër në mesin e gjashtë finalistëve. Libri flet për një miqësi nga fëmijëria dhe për kujtimet joperfekte nga kjo periudhë. Këtë rrëfim e tregon një mashkull i moshës së mesme, Tony Webster, i cili i kujton rrugët që ai dhe miqtë e tij të dikurshëm i kaluar së bashku, përderisa vjen në përfundim se kujtimet e tij, të shkruara në një ditar të harruar, nuk janë edhe aq besueshme sa ai mendonte fillimisht.
Shkrimtarët e tjerë të nominuar për çmimin Man Booker ishin Carol Birch (me romanin “Jamrach’s Menagerie”), kanadezët Patrick DeWitt dhe Esi Edugyan (me romanet “The Sisters Brothers” dhe “Half Blood Blues”) , dhe debutuesit Stephen Kelman (me “Pigeon English”) dhe A.D. Miller (me “Snowdrops”).
Derisa po e pranonte çmimin, Barnes, i cili dukej paska i hutuar, falënderoi jurinë për urtësinë e treguar dhe sponsorët për çekun e lejuar. Ai, gjithashtu, ofroi disa këshilla për botuesit.
"Disa nga ju që e patë librin tim, pavarësisht asaj se çka mendojnë për përmbajtjen e tij, mbase do të pajtohen se është një objekt i bukur. Dhe, nëse një libër fizik, siç e quajmë zakonisht, i reziston sfidës së përballjes me e-libra, ai duhet të jetë diçka që ia vlen të blihet, por edhe që ia vlen të posedohet”, theksoi Barnes.
Ndryshe, Julian Barnes ishte në rrethin e ngushtë të fituesve të çmimit edhe në vitin 1984, me romanin “Flaubert’s Parrot”; në vitin 1998, me “England, England”; dhe në vitin 2005, me “Arthur and George”, megjithëse që të tri herët dështoi që të fitonte këtë çmim.