Punëtoria e muzikës së improvizuar
_734438.jpg)
Stacion këtë herë ka organizuar një punëtori që synim ka bashkimin e atyre që i duan tingujt e muzikës së improvizuar. Tashmë janë ndarë edhe datat në të cilat po zhvillohen aktivitetet. E, artistët që po performojnë muzikë të kombinuar janë Joel Grip dhe Pierre Borel, nga Franca, gjegjësisht nga Danimarka.
Punëtoria, që ka filluar të mbahet më 17 tetor, në Departamentin e Muzikës, në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës, do të zgjas deri më 22 tetor.
Ndërkohë, në kuadër të punëtorisë, Stacion ka organizuar edhe tre koncerte joformale, në Gegë Café Bar, të martën, në Dit’ e Nat’ Café Librari, të mërkurën, dhe në Shallter Birrari, sonte (nga ora 21). Në të tri koncertet ekipi i Stacion, në përbërje Joel Grip (double bass), Pierre Borel(saksofon), Dritro Nikqi (bateri dhe vokal) dhe Shpend Mula (kitarë), u përkujdes për sjelljen e tingujve të ri në Prishtinë.
Sipas Albert Hetës, drejtues i Stacion’, ditët e kaluara të punëtorisë ishin mjaft interesante. Ai tregon se përderisa dita e parë ishte një njoftim mes pjesëmarrësve dhe udhëheqësve të punëtorisë, në të dytën kishte më pak pjesëmarrës se në të parën, ndërkaq paraqitja në Gegë Cafe Bar ishte paraqitja e parë e projektit para publikut.
Ndryshe, punëtoria ‘(Prishtina) Unlimited’ synon të thellohet në procesin kreativ, duke e çliruar atë nëpërmjet zërit. Punëtoria nuk bazohet në ndonjë zhanër muzikor, që nënkupton se grupi nuk do të provojë të rikrijojë kallëpet ekzistuese muzikore (si Be-bop, free jazz, death metal, gagaku, etj), por vetëm të inspirohet nga ato dhe të krijojë një muzikë të paetiketuar kolektive.
Heta thotë se ideja për këtë organizim nuk buroi nga Stacion, por nga dy përfaqësuesit e kësaj kategorie të muzicientëve, të cilët “na gjetën neve”.
“Për ne kjo ka qenë shumë me rëndësi, sepse ne nuk mund të identifikohemi lehtë me këtë muzikë, gjegjësisht përmes qasjes që ajo e promovon. D.m.th, pak me i vu në shprehje zhanret ekzistuese, por edhe të improvizohet me ato zhanre, duke tentuar që ndoshta të krijojmë diçka të re”, shprehet Heta.
Ndryshe, në kuadër të punëtorisë përfshihen performimet solo, duo, trio, por edhe performimet në ansamble më të mëdha.
Mbi të gjitha, gjëja kryesore që aspiron kjo punëtori është që të vë në pyetje muzikën, vetveten dhe shoqërinë që na rrethon. Si të amplifikohet realiteti, të dëgjohet vetvetja dhe si të bëhet e mundur të dëgjohet dikush tjetër, janë vetëm disa nga çështjet që trajtohen.
“Me këtë punëtori, synojmë që ta njoftojmë skenën e muzikës këtu me këtë lloj të praktikimit të muzikës dhe të shpërndarjes të mëtejshme të saj, në këtë kontekstin e kësaj praktike”, thekson Heta.
Prezantimi përfundimtar i punëtorisë do të mbahet të shtunën, më 22 tetor, në Stacion, nëpërmjet orkestrës së re (Prishtina) Unlimited.
Dy artistët mysafirë, Pierre dhe Joel, njihen mirë në skenën kreative muzikore në tërë Evropën, në Amerikën Veriore dhe në Azi.
Si anëtarë shumë aktiv të kolektivit ‘Umlaut Records’, shprehja e tyre e përqendruar dhe individuale, si solist, ose si grup pjesëtarësh të ansambleve të vogla e të mëdha, si Peeping Tom, Obiliq, SNUS, Pierre Borel Septet, a.o, përforcohet nëpërmjet mjeteve të reja të punës organizative të udhëhequra nga artistët. Gjithashtu, ata performojnë edhe me improvizues, si Axel Dörner, Evan Parker, Alan Silva, Burckard Beins, Raymond Strid, etj.
‘(Prishtina) Unlimited’, me Joel Grip dhe Pierre Borel, është pjesë e Programit Hapësinor, gjegjësisht e modulit të punës të Qendrës për Art Bashkëkohor – Stacion, në Prishtinë, dhe organizohet në bashkëpunim me Shoqatën për Art - Fryma e Re, Departamentin e Muzikës, të Fakultetit të Arteve të UP’së, Café Barin Gegë, Café Librarinë Dit’eNat’ dhe Birrarinë Shallter.