Man City fiton FA Cup, trofeu i parë nga 1976-ta
Manchester City është fitues i FA Cup pasi në finale mposhti Stoke Cityn me rezultat 1-0 të shtunën, derisa Yaya Toure dhuroi një goditje të pandalshme pas 74 minutave për të siguruar titullin e tyre të parë pas 35 viteve, kur kishin fituar League Cup.
Toure, i cili shënoi golin që mposhti Manchester Unitedin në gjysmëfinale, gati sa nuk e shpoi rrjetën kur realizoi golin e tij, pasi mbrojtja e Stokes nuk arriti të largojë topin pas goditjes së mesfushorit David Silva.
City dominoi ndeshjen kundër ekipit të Stoke Cityt, që për herë të parë u paraqit në një finale. Ata u mbajtën nën kontroll, në pjesën e parë nga mbrojtja e ngjeshur dhe pritjet e portierit Thomas Sorensen, por merituan triumfin e tyre të pestë në FA Cup dhe të parin nga 1969-ta.
Pas sigurimit të një vendi që për herë të parë i dërgon në kualifikime për në Ligën e Kampionëve, triumfi i së shtunës është shpërblimi i parë për pronarin Sheikh Mansour bin Zayed bin Al Nahyan, i cili e bleu klubin më 2008 dhe shpenzoi rreth 300 milionë funte për përforcime.