E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nuk është lehtë

Barcelona në kohën e fundit ka arritur fitore të thella prej 5-0 deri në 8-0, por Lionel Messi thotë se kjo nuk ka qenë e lehtë ashtu siç dukej. Sulmuesi argjentinas po ashtu thekson se është mirë për klubin që ai së bashku me Iniestan dhe Xavin janë finalistë për Topin e Artë. Ndërsa trajneri Pep Guardiola krenohet me futbollistët e tij. Nga Express më 14 dhjetor 2010 në ora 10:10

Barcelona po shkel dhe atë me plot kuptimin e fjalës. Në periudhën e fundit gjiganti katalan ka dominuar bindshëm ndaj kundërshtarëve në La Liga, përfshirë rivalin e përhershëm Real Madridin, të cilin e mposhti me rezultat të thellë 5-0. Të dielën, ekipi i Pep Guardiolas regjistroi një tjetër fitore me rezultat identik. Ata mundën Real Sociedadin 5-0 në Nou Camp.

Barcelona së fundmi kishte shkelur mbi Almerian, të cilën e mposhti si mysafire me rezultat të thellë 8-0, ndërsa para një jave fitoi 3-0 ndaj Osasunas në Pamplona. Mirëpo, pavarësisht këtyre fitoreve dominuese, ylli i Barcelonës, sulmuesi Lionel Messi ka thënë se ekipi është duke i bërë gjërat më lehtë sesa që janë.

“Duket e lehtë, por nuk është ashtu”, tha Messi për Canal +. “Ishte vështirë për ne, sidomos në pjesën e parë kur ata u mbyllën prapa. E vërteta është se rezultatet kanë qenë të mira për ne dhe jemi duke luajtur në shkallë të mirë”, shtoi Messi.

Pas fitores ndaj Realit dy javë më parë, Barcelona u ngrit në pozitën e parë në La Liga dhe aktualisht pas 15 xhirove kryeson me 40 pikë, dy më pak se ekipi i Jose Mourinhos, që megjithatë i ndjek ata hap pas hapi. Messi është në garë për Topin e Artë së bashku me dy bashkëlojtarët e tij nga Barcelona, Andres Iniesta dhe Xavi, të cilët përbëjnë treshen finaliste për çmimin e futbollistit më të mirë në botë, që për herë të parë nga ky vit do të ndahet së bashku nga magazina France Football dhe Federata Botërore e Futbollit, FIFA.

“Me rëndësi është të tre prej nesh jemi aty. Është mirë që tre futbollistë të Barcelonës janë finalistë për një çmim kaq të rëndësishëm”, theksoi Messi. Ndërsa trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, ka thënë se është privilegj të drejtojë një ekip kaq mbresëlënës në krye me Messin.

“Ne duhet të jemi të vetëdijshëm nga ajo që ky ekip është duke arritur. Është privilegj që e përjetojmë këtë. Jam i sigurt se mund të bëhemi edhe më të mirë, por nuk mund të kërkoj më tepër nga futbollistët. Ata të gjithë luajnë për njëri-tjetrin. Krenohem me këta futbollistë sepse ata në vazhdimësi shfaqin lojë të mrekullueshme dhe e di se tifozët shkojnë në shtëpi duke thënë: ‘kemi kaluar mirë’.”

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›