Man Utd fiton dramën në Stamford Bridge

United kaloi në epërsi herët në minutën e katërt kur pas një goditje të sulmuesit Robin van Persie, topi goditi shtyllën dhe u devijua nga trupi i qendërmbrojtësit David Luiz dhe përfundoi në portë. Në minutën e 12-të, Van Persie realizoi vet duke dyfishuar epërsinë e mysafirëve.
Por, Chelsea ngushtoi disavantazhin një minutë pa përfunduar koha e rregullt pas një super goli nga goditja e lirë e mesfushorit Juan Mata. Chelsea e barazoi rezultatin në minutën e 53-të kur mesfushori Ramires shënoi me kokë, por punët u përkeqësuan sërish kur dhjetë minuta më vonë mbrojtësi Branislav Ivanovic u përjashtua me karton të kuq pas një ndërhyrje si futbollist i fundit ndaj Ashley Young.
Chelsea mbeti me nëntë futbollistë kur sulmuesi Fernando Torres u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë për simulim, e në fakt xhirimet e përsëritura treguan se pati kontakt me kundërshtarin. United shfrytëzoi përparësinë numerike duke shënuar golin e fitores me zëvendësuesin Javier Hernandez në minutën e 75-të. Por, edhe ky shënim erdhi mes polemikash për dyshim të pozitës jashtë loje.