E Shtunë, 31 Tetor 2026

Man Utd kopjon Barcelonën

Wayne Rooney thotë se Manchester United është duke mësuar të luajë në mënyrën e Barcelonës dhe vetëm kështu mund t’i mposhtin ata. Ylli anglez ka bërë të ditur se skuadra nga Old Traffordi përcjell dhe mëson nga loja e gjigantit katalan që në tri vitet e fundit i ka mposhtur në dy finale të Ligës së Kampionëve. Nga Express më 03 tetor 2011 në ora 08:45

Sulmuesi i Manchester Unitedit dhe Kombëtares angleze, Wayne Rooney ka bërë të ditur se në skuadrën e tij vazhdimisht e përcjellin dhe mundohen të mësojmë sa më tepër nga loja e aktualisht skuadrës më të mirë në botë, Barcelonës.

Djajtë e Kuq, në tri vitet e fundit u mposhtën në dy finale të Ligës së Kampionëve nga Barcelona, dhe në mënyrë që ky skenar në të ardhmen të mos përsëritet për herë të tretë, gjiganti nga Old Traffordi ka vendosur të bëjë diçka më ndryshe.

“Shumë njerëz shikojnë Barcelonën dhe mahniten me shërbimet dhe posedimin e tyre të topit. Por, për mua ata më së miri reagojnë në momentet kur humbin topin, mënyra si mbrohen dhe si mundohen të fitojnë topin. Këto janë kualitet e tyre më të mira”, tha Rooney.

“Shumë herë e fitojnë topin në fushën e kundërshtarit dhe prej aty nisin sulmin. Edhe ne jemi munduar të aplikojmë diçka të tillë në lojën tonë dhe mendoj se ka filluar të na shpaguhet”, theksoi ai. Nën drejtimin e Sir Alex Fergusonit, Rooney e di se gjithçka është e mundur.

I pyetur të përshkruajë menaxherin me tri fjalë, ai tha: “Fitues, dëshirues dhe i frikshëm”. Muajin e ardhshëm, Ferguson feston 25-vjetorin e tij në drejtim të skuadrës nga Old Traffordi. Rooney ishte vetëm një vjeç kur skocezi hyri në dyert e stadiumit të famshëm anglez.

“Është e pabesueshme ajo që ka bërë për klubin dhe rezultatet nën drejtimin e tij janë arritje e jashtëzakonshme. Prej kur mori postin e menaxherit më 1986, ka arritur sukses të jashtëzakonshëm në klub dhe dëshira që ka, edhe tani, është e frikshme”, përfundoi Rooney.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›