E Shtunë, 31 Tetor 2026

Man Utd pret rrëshqitjen e Cityt

Sulmuesi i Manchester Unitedit, Wayne Rooney ka insistuar se skuadra e tij do të jetë e gatshme të shfrytëzojë çfarëdo rrëshqitjeje të rivalit Manchester City.

City aktualisht kryeson në Premierligë me dy pikë më tepër se United dhe ka dominuar plotësisht në pjesën e parë të sezonit. Skuadra nga Eastlands është mposhtur për herë të parë në ligë të hënën, kur u mund nga Chelsea 2-1, por më pas fitoi përballë Arsenalit 1-0 dhe 3-0 ndaj Stoke të mërkurën mbrëma.

Megjithatë, edhe United është në formë të mirë dhe ka realizuar dymbëdhjetë gola në katër ndeshjet e fundit në ligë, përfshirë fitoren 5-0 në Fulham të mërkurën, duke pranuar vetëm një gjatë kësaj periudhe.

Rooney, i cili ishte në mesin e realizuesve në Craven Cottage, ka paralajmëruar Cityn se United pret rrëshqitjen e tyre. “Na presin dy ndeshje në shtëpi, andaj duhet të shtojmë presionin dhe nëse City rrëshqet, ne do të jemi aty për të shfrytëzuar çdo gabim të tyre”, tha Rooney për BBC.

“Fitorja ndaj Fulhamit ishte fitore e mirë për ne dhe shënon përmirësim të madh për ne si mysafirë. Luajtëm shumë mirë, shfrytëzuam rastet tona dhe triumfuam me meritë”, përfundoi ai.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›