E vërteta e Torresit

Sulmuesi i Chelseas, Fernando Torres ka mohuar spekulimet se klubi synon të kompensojë humbjet, duke e shitur gjatë afatit kalimtar të janarit. Reprezentuesi spanjoll ka kaluar një periudhë të tmerrshme në Stamford Bridge pas ardhjes nga Liverpool gjatë janarit për vlerë rekorde prej 50 milionë funtesh dhe vazhdon t’i mungojnë golat dhe besimit.
Telashet e Torresit kanë zgjuar sugjerime se klubi londinez është i gatshëm ta shesë gjatë afatit kalimtar dimëror, spekulime të cilat janë mohuar nga menaxheri Andre Villas-Boas. Ndërsa tani 27 vjeçari ka insistuar se nuk i kushton rëndësi njoftimeve të fundit pasi ka pak besim për mediet në Angli. Torres tha për Canal + Liga TV: “Kur lexoj diçka në mediet spanjolle, u besoj. Kur e lexoj në mediet angleze, e di se është gënjeshtër”.
Torres ka shënuar vetëm tri gola në ligë pas ardhjes në Chelsea, por insiston se do të kthehet në formën e tij më të mirë dhe thotë se meriton më tepër respekt nga kritikët e tij. “Është e vërtetë se Vicente del Bosque (selektori i Spanjës) është i brengosur për mua dhe formën time në Chelsea. Por, varet nga unë të kthehem sulmuesi që isha më parë. Nëse kthehem ku isha para disa vitesh, sërish do të luaj rol të rëndësishëm në ekipin e Spanjës”, shtoi Torres i cili u zotua se:
“Do të mundohem të jem i qetë dhe të kthehem në formacionin bazë të Chelseas. Forma ime nuk ka qenë e mirë, por jam kampion i botës dhe i Evropës, andaj meritoj më tepër respekt. Është vështirë të qëndroj në bankinë, por i respektoj ata që janë duke luajtur. Do të përkrah ekipin dhe do të kthehem në të”.
Torres sërish ka treguar të vërtetën e tij për largim nga Anfield Road, që sipas tij, nuk e kanë ditur tifozët nga Merseyside. “Tifozët e Liverpoolit nuk e dinë të vërtetën pse kam nënshkruar për Chelsean. Tifozët nuk e dinë as gjysmën e asaj që ndodhi. Ata nuk e dinë se çfarë janë njerëzit në krye të Liverpoolit, ata kanë mendim të ndryshëm për ta nga ajo se çfarë janë në të vërtetë.
Ata bënë premtime të cilat nuk i mbajtën dhe jam larguar sepse kuptova se nuk kam kohë të jem pjesë e një projekti që do të zgjaste me vite. Nuk kam asgjë kundër tifozëve të Liverpoolit. Nuk kam dashur të largohem nga Liverpool në atë mënyrë që e bëra, por klubi më gënjeu. Isha i zhgënjyer dhe nuk e kuptoj pse tifozët më urrejnë”, përfundoi ai.