E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paris Sen Zhermen kryesuesi i kampionatit francez te futbollit

Do të jetë nga Parisi skuadra kryesuese e kampionatit francez në periudhën e Krishtlindjeve. Paris SG fitoi 1-0 në fushën e Sent Etienit historik, ku një gol i vetëm vendosi ndeshjen dhe kryesimin.
Miqtë e nisën vrullshëm takimin duke krijuar menjëherë një rast për gol, ndërsa pas një gjysmë ore lojë, Matjë Bodmer realizoi për kryeqytetasit. Gjithçka erdhi pas një krosimi të Nenesë dhe goditjes me kokë të Bodmerit.
Në pjesën e dytë, Sent Etien iu afrua barazimit dhe goditi shtyllën me anë të sulmuesit Sinama-Pongole, por pa arritur të barazonte.
Lion u mund 1-0 në fushën e Valensienës duke mbetur prapa. Ndonëse skuadra vendase ishte në vendin e parafundit, ajo ishte më e mira në fushë, duke humbur raste shënimi përpara se të shënonte golin e vetëm të ndeshjes. Ky gol erdhi pas një goditjeje dënimi dhe ishte një autogol i mbrojtësit Ali Sisoko.
Në fund, lionezët iu afruan barazimit, por nuk patën fat dhe dolën të humbur nga kjo përballje.
Skuadra tjetër që kryesonte, Monpelje, u mund 4-2 në fushën e Evianit, një tjetër rezultat i papritur, ndërsa kampionia Lilë, që ishte afruar shumë me kreun, u ndalua në një barazim 4-4 në fushën e vet ndaj Nisës.
Në një ndeshje me shumë përmbysje, vendasit kryesuan dy herë, më tej u ndodhën në humbje 2-3, ndërsa menduan se fituan kur rezultati ishte 4-3 deri në minutat shtesë, por Nisë shkaktoi të papriturën në fund.
Paris SG kryeson me 40 pikë, Monpelje ka 37, Lilë 36 dhe Lion 35 pikë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›