E Shtunë, 31 Tetor 2026

Himarë, zjarri në kodra, panik tek pushuesit

Një zjarr i rënë në rrethana ende të paqarta në kodrat përreth qytetit të Himarës ka shkaktuar panik tek pushuesit e shumtë që ndodhen në këtë vend. Ngjarja është evidentuar në orët e pasdites së djeshme, kur të ndihmuara dhe nga era e fortë flakët u janë afruar shtëpive të banimit të plazhistëve. Sipas të dhënave të para të banorëve të zonës, zjarri ka kërcënuar edhe një hotel 6 katësh pranë kodrave të qytetit, ndërkohë që në vend janë mbledhur me shpejtësi forca të shumta të policisë lokale. Gjithashtu, në vend kanë mbërritur dhe dy makina të ambulancës, si dhe më pas makinat e zjarrfikëses. Sipas të dhënave të para nga vetë pushuesit, flakët e mëdha duket se kanë dalë jashtë kontrollit dhe për këtë arsye disa prej tyre janë larguar nga shtëpitë në pritje të ndërhyrjes së zjarrfikësve. Po kështu, të dhënat e para kanë folur edhe për një makinë të përfshirë nga flakët, e cila ishte e parkuar në periferi të qytetit, pikërisht në vendin ku kanë shpërthyer flakët.

Në këtë situatë, ka reaguar dhe kryebashkiaku i këtij qyteti, Vasil Bollano, i cili nëpërmjet lidhjes telefonike me median ka bërë thirrje për një ndërhyrje nga ajri me helikopter, pasi situata sipas tij, sa vinte e rëndohej. Nga ana e saj, policia tha se është lajmëruar nga vetë banorët e zonës dhe se dyshimet e para janë se zjarri mund të ketë rënë si pasojë e një defekti në një linjë të tensionit të lartë. Po kështu, një tjetër zjarr është konfirmuar nga policia të ketë rënë edhe në afërsi të qytetit të Delvinës, ku të dhënat e para flasin për dëmtime të disa shtëpive.

Gjirokastër

Shkrumbohen 15 hektarë kullotë dhe ullishte

Flakët e zjarrit që janë shfaqur gjatë gjithë natës së të dielës dhe orëve të para të mëngjesit të djeshëm në fshatin Palokastër të komunës Andon Poçi, rreth 12 kilometra larg qytetit të Gjirokastrës, kanë shkrumbuar plot 7 hektarë kullota. Lajmi është bërë i ditur dje nga zëdhënësi i policisë së këtij qyteti, Genti Soti, sipas të cilit, rreth orës 20:00 të së dielës, në kodrat e fshatit Andon Poçi është shfaqur një vatër zjarri. Në vend kanë shkuar inspektorët e policisë së rendit të cilët kanë konstatuar se zjarri ishte shumë larg rrugës dhe automjetet zjarrfikëse nuk hynin dot. Zjarri ka vazhduar gjatë natës, ku si pasojë e erës së fortë në orët e para të mëngjesit zjarri është afruar sipërfaqeve të mbjella me vreshtari të fshatit Andon Poçi, si dhe është përhapur edhe në drejtime të tjera ku rrezikoheshin edhe disa banesa. Me ndërhyrjen e repartit zjarrfikës është bërë e mundur lokalizimi i disa drejtimeve të zjarrit të cilat përparonin drejt fshatit. Më pas punonjësit e repartit zjarrfikës të policisë dhe disa banorë kanë bërë të mundur që me mjete rrethane, pasi mungonte rruga automobilistike, të shuanin zjarrin që kishte drejtimin për në vreshtat e këtij fshati. Rreth orës 10:00, të gjitha vatrat e zjarrit përreth këtij fshati janë vënë nën kontroll deri në fikjen e plotë të tyre. Ndërkohë, rreth orës 11:00, një bari i cili po kulloste bagëtitë në lumin Drino përballë fshatit Palokastër kërkon ndihmë, pasi zjarri ishte afruar në drejtim të bagëtive. Në vend shkuan zjarrfikësja dhe forcat e policisë të cilat bënë të mundur shuarjen e zjarrit. Si pasojë e flakëve, në fshatin Andon Poçi janë djegur rreth 7 hektarë sipërfaqe kullosore dhe disa pemë frutore. Po kështu, rreth orës 12:30, zjarri i cili ishte anës së lumit Drino në drejtim të fshatit Palokastër si pasojë e erës së fortë, shkëndijat kanë shkaktuar një vatër zjarri në anën tjetër të lumit, në fundin e fshatit Palokastër. Zjarri i ndihmuar dhe nga era është përhapur me shpejtësi, ku ka rrezikuar 13 banesa të këtij fshati. Ndërhyrja në kohë e 3 automjeteve zjarrfikëse ka frenuar flakët duke bërë të mundur që banesat të mos përfshiheshin nga flakët. Zjarri ka përfshirë rreth 5 hektarë sipërfaqeje kullosore, disa bahçe të banorëve, një kasolle dhe ka përshkuar varrezat e këtij fshati. Rreth orës 16:00, zjarrfikëset, forcat e policisë dhe banorët kanë shuar plotësisht zjarrin në këtë fshat.

Divjakë

Flakët përpijnë 150 hektarë ullishte

Flakët e një zjarri të rënë në Divjakë kanë djegur më shumë se 150 ha ullishta në kodrat përreth zonës. Ngjarja ka ndodhur një ditë më parë dhe sipas të dhënave të policisë lokale, mësohet se zjarri është vënë në mënyrë të qëllimshme, duke nisur që gjatë orëve të pasdites në fshatin Shënepremte dhe, i favorizuar nga erërat dhe temperaturat e larta, ka përfshirë ullishtat në kodrat e Divjakës duke alarmuar banorët e zonës deri në orët e vona të natës, kur është bërë e mundur shuarja e tij. Banorë dhe zjarrfikës janë përpjekur me të gjitha mjetet të shuajnë flakët duke vënë në rrezik jetët e tyre. Policia ka shoqëruar një person në komisariat, banor i fshatit Shënepremte, si i dyshuari kryesor për vënien e zjarrit. Sipas policisë, dyshohet se fshatari e ka ndezur zjarrin që të hapë kullota të reja. Sipas policisë, ajo çka vihet re në raste të tilla, jo pak herë të përsëritura, është papërgjegjshmëria e personave shkaktarë të zjarrit.

Malësi e Madhe

Zjarri në pyje rrezikon 3 fshatra

Tre fshatra të Malësisë së Madhe në Shkodër kanë luftuar me flakët, pas një zjarri të rënë mesditën e djeshme në pyjet pranë tyre. Sipas të dhënave të policisë lokale një ditë më parë, mësohet se një kamion me targë TR 8722 D është shkaktari kryesor i zjarrit më të madh në këtë sezon veror në qarkun e Shkodrës. Fshatrat Qarri i Sipërm, Demiraj, Grizhë, Cezëm, Mëshqerraj rrezikohen nga ky zjarr, i cili, sipas banorëve, është shkaktuar nga kamioni që transportonte sanën dhe që gjatë rrugës ka marrë flakë. Kështu, Tonin Fanga, 45 vjeç nga Thethi i Dukagjinit, ishte duke udhëtuar me të birin e tij minoren në kamion, kur lartësia e barit të thatë që po transportonte ka ndeshur telat e tensionit të lartë të cilat e kanë ndezur atë. Policia tha se ai është larguar menjëherë më të birin e tij për shkak se automjeti mori flakë dhe rrezikoi jetën e tij. Ai ka shuar flakët në trupin e tij në një burim uji aty pranë dhe fatmirësisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Pas kësaj, zjarri i rënë është përhapur me shpejtësi në mal duke vënë në rrezik fshatrat përreth.

Deri tani janë djegur me mijëra ha tokë me hardhi e pyje. Sipas policisë, shqetësues ka qenë fakti se flakët janë përhapur me shpejtësi dhe shumë banesa që janë pranë vijës së zjarrit, ndodhen para rrezikut. Megjithatë, reparti i zjarrfikëseve të zonës ka shkuar në vendngjarje por dhe këta kanë hasur vështirësi për shkak të terrenit të thyer malor të zonës. Në këtë situatë, edhe banorë të zonës janë përpjekur me mjete rrethanore për të shuar flakët e larta. Ndërkohë, mësohet se policia ka shoqëruar shoferin e kamionit dhe të birin minoren të japin detaje rreth ngjarjes që ka përhapur panik në 3 fshatra të Malësisë së Madhe, Shkodër.

Fier

Digjen nga zjarri dhjetëra hektarë shkurre dhe ullinj

Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë dhjetëra hektarë shkurre dhe ullinj në fshatin Margëlliç të rrethit të Fierit. Ngjarja ka ndodhur në orët e mesditës së djeshme, ndërkohë që në vendngjarje kanë shkuar menjëherë efektivat e policisë dhe katër zjarrfikëse. Zjarri ende vazhdon të përparojë. Sipas të dhënave të para, mësohet se terreni i vështirë dhe forca e erës ka favorizuar shumë përhapjen e flakëve, duke vështirësuar punën e zjarrfikësve për shuarjen e tyre. Ende nuk ka një përllogaritje të saktë të sipërfaqes së shkurreve dhe ullishtave të djegura nga flakët, pasi të gjitha përpjekjet janë përqendruar për izolimin e vatrave të zjarrit dhe shuarjen e tyre.

Durrës

Dy vatra zjarri rrezikojnë banesat pranë

Dy vatra zjarri të identifikuara në mesditën e djeshme në periferi të qytetit të Durrësit, rreth 12 km larg nga njëra-tjetrës, kanë rrezikuar seriozisht shtëpitë e banorëve.

Flakët kanë përshirë disa hektarë me bimësi të ulët, ndërsa dhjetëra forca dhe disa automjete zjarrfikëse po punojnë intensivisht për shuarjen e tyre.

Ndërkohë, shefi i PMNZSH-së, Ethem Bardhi, është shprehur se zjarri ka rënë fillimisht në kodrat e fshatit Shkallnuer, rreth 10 km në jug të qytetit të Durrësit, në zonën pranë vendit të quajtur Shkëmbi i Kavajës. Sipas policisë, një tjetër zjarr ka rënë disa orë më vonë në kodrat e Spitallës, rreth 4 km në veri të qytetit të Durrësit. Për këtë, Bardhi tha se pesë automjete zjarrfikëse të repartit të PMNZSH-së së rrethit, si dhe një automjet tjetër i repartit zjarrfikës të Autoritetit Portual, po punojnë së bashku me dhjetëra forca zjarrfikëse në të dyja zonat e përfshira nga flakët. Nga të dhënat e policisë, mësohet se situata është më e rëndë në kodrat e fshatit Shkallnuer, ndërsa në zonën e Spitallës flakët janë vënë nën kontroll. Deri në orët e pasdites, ende nuk kanë qenë të njohura shkaqet e këtyre zjarreve.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›