Rusi, dyfishohet numri i viktimave nga zjarret
Numri i vdekjeve për shkak të tymrave toksikë në Moskë është dyfishuar, njoftojnë agjencitë e lajmeve. Një zyrtar rus nuk njoftoi numrin e saktë të viktimave, por tha se nga nxehtësia dhe ndotja, për shkak të tymit, është rritur numri i vdekjeve. Vlera e dioksidit karbonik është rritur gjashtë herë më shumë se vlera normale e lejuar. Moska është mbuluar nga tymi helmues për të katërtën ditë me radhë. Ndërkohë, Rusia ende vazhdon të luftojë kundër zjarreve masive në pyje dhe në zonat me torfë. Megjithëse zjarri është shuar në disa rajone, kanë shpërthyer vatra të reja. Në të gjithë vendin janë përfshirë nga flakët rreth 200000 hektarë tokë. Ndërkohë flakët po rrezikojnë edhe Qendrën për Studime Atomike në Sneshinsk. Ministri rus për Mbrojtjen Civile, Sergej Shoigu, ka dhënë urdhrin për luftimin pa ndërprerje të zjarrit përreth qendrës studimore, ashtu siç u vendos për zonën përreth Moskës. Për të ruajtur popullsinë nga tymrat toksikë, Gjermania dërgon në Rusi 100000 maska mbrojtëse, si edhe aparate teknike për luftimin e zjarreve. Meteorologët parashikojnë valë të nxehti me temperatura deri në 40 gradë.
#