E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana, kampione simbolike e fazës së parë



Tirana duhet të falënderojë futbollistin e Lushnjës, Laert Ndoni, për tri pikët e fituara në javën e fundit të fazës së parë, pasi ishte autogoli i 22-vjeçarit në minutën e 13-të të takimit që i dha 23 herë kampionëve të Shqipërisë edhe titullin simbolik të “kampionit të fazës së parë”. Një fitore 1-0 shumë e vuajtur e bardhebluve ndaj Lushnjës, që nga ana e saj mund të kishte barazuar në minutat e fundit me anë të Dorian Bubeqit, por sulmuesi 31-vjeçar kavajas, golashënuesi më i mirë i sezonit 1997-1998, kur luante me fanellën e Shkumbinit (26 gola), nuk arriti të kuadratojë mirë portën e mbrojtur nga lojtari më i moshuar i Superligës, 37-vjeçari Blendi Nallbani. Mesa duket ndeshja e madhe në miqësoren e fituar kundër Milanit (2-1, ka ndikuar negativisht, pasi bardheblutë pas 14 tetorit, jo vetëm që kanë fituar vetëm 2 takime nga pesë ndeshjet e mundshme, duke humbur shumë nga grinta e dhe imazhi i një dominuese totale të Kategorisë Superiore. Gjithsesi, fitorja ndaj Lushnjës ishte e 50-a e Tiranës në 83 ndeshje historike midis dy ekipeve. Formacioni i Vasil Bicit, pas humbjes 4-1 një javë me parë me Vllazninë pësoi në “Selman Stërmasi” me Tiranën jo vetëm humbjen e tetë sezonale në 11 ndeshje dhe tani është jo vetëm ekipi që ka pësuar më shumë humbje, por ndodhet edhe në vendin e fundit, edhe pse me pikë të barabarta me Partizanin, nga shtatë. Në javën e parë të fazës së dytë, trajneri boshnjako-kroat Bllazhe Slishkoviç, i mbiquajtur nga shtypi si “Murinjo” i kampionatit shqiptar më ngjashmërinë sesi e trajton skuadrën (gjoba ta pafundme), do të përballet në një sfidë shumë të rëndësishme kundër Vllaznisë së vendit të dytë, me të cilën e ndan vetëm një pikë. Një fitore e formacionit të Agim Canajt – takimi i parë në “Loro Boriçi” përfundoi pa gola – do të provokonte edhe rokadën midis dy skuadrave, por edhe rrëshqitjen e Tiranës në vendin e tretë nëse edhe Shkumbini do të fitonte në Ballsh me Bylisin.

Vllaznia, “pullë poste” Tiranës

Fitore “in extremis” e Vllaznisë ndaj Teutës. Dhe kjo falë këmbënguljes së mbrojtësit të Kombëtares Elvin Beqiri, i cili realizoi në minutën e 92-të, pak sekonda sesa gjyqtari Ervis Peza të mbyllte takimin e 140-të midis këtyre dy ekipeve. 32-vjeçari Safet Osja realizoi një eurogol në minutën e 31-të, përpara se talenti tiranas i Teutës, 19-vjeçari Vilfor Hysa të barazonte shifrat 40 minuta më pas, në të 70’. Kur gjithçka, po dukej se Teuta po arrinte rezultatin e gjashtë rresht pozitiv e po dilte me një pikë të çmuar nga “Loro Boriçi”, Elvin Beqiri shpiku golin e tij, duke u shndërruar në një protagonist të madh në fitoren e ngushtë 2-1, që e mbajti Vllazninë vetëm një pikë larg Tiranës kryesuese përpara se dy skuadrat më të rezultateve të kampionatit të përballen në kryendeshjen e javës së 12-të, që çel edhe tiparin e fazës së dytë të Kampionatit të 70-të Kombëtar.

16 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›