Manastirliu: 40 kantiere të reja ndërtimi dhe rehabilitimi të shkollave në vitin 2025

TIRANË, 2 Prill /ATSH/ Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, gjatë një vizite në shkollën “Besnik Sykja” në Tiranë, si një shkollë model transformimi i infrastrukturës arsimore, drejt Shqipërisë 2030, deklaroi se qeveria do të hapë 40 kantiere të reja ndërtimi dhe rehabilitimi të shkollave në vitin 2025.
Në aktivitetin ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, Manastirliu theksoi se, infrastruktura shkollore po modernizohet me laboratorë, palestra, terrene sportive dhe biblioteka, duke sjellë përfitime për 200 mijë nxënës dhe mësues. “450 shkolla janë ndërtuar ose rehabilituar, ndërsa janë shtuar 200 palestra dhe terrene të reja sportive,” tha Manastirliu.
Në Tiranë, 48 shkolla janë ndërtuar, prej të cilave 13 janë të reja, ndërsa të tjerat kanë zgjeruar kapacitetet. “Sot jemi në një nga shkollat e reja, ‘Besnik Sykja’, e cila jo vetëm është transformuar, por ka zgjeruar hapësirat mësimore dhe sportive,” u shpreh ajo.
Manastirliu njoftoi gjithashtu se në vitin 2025 do të ndërtohen tre shkolla të reja në zonat me dendësi të lartë të popullsisë në Kashar, Selitë dhe Yzberisht, si dhe po vijon rindërtimi i gjashtë shkollave të tjera.
Duke folur për zhvillimin e arsimit, ministrja theksoi rëndësinë e përgatitjes së brezit të ri me aftësitë e kohës, përmes laboratorëve inteligjentë SMART Lab, nga të cilët do të përfitojnë 35 mijë nxënës në fushën e kodimit dhe teknologjisë. ” Do të jenë 1000 Laboratorë inteligjent në shkolla”, tha ndër të tjera Manastirliu
Sa i përket mbështetjes për mësuesit, Manastirliu bëri me dije se paga e tyre do të arrijë në 950 euro, ndërsa do të zbatohet një skemë e re për kualifikimin dhe zhvillimin profesional, ku do të përfshihen 20 mijë mësues, 180 pedagogë dhe shtatë universitete.
/a.f/