Ministria e Arsimit shpall një vit para kërkesën për tekstet për vitin shkollor 2011-2012
Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka shpallur dje kërkesën për tekste shkollore për vitin 2011-2012, në bazë të programeve mësimore të përgatitura prej saj. Kërkesa është bërë për 28 tekste shkollore të reja në klasën e 12-të, katër të klasës së 10-të, si dhe për tekste të tjera të shkollës mesme dhe nëntëvjeçare. Autorëve dhe botuesve të teksteve mësimore tashmë do tu jepet një periudhë më e gjatë kohore përgatitje për tekstet. Është hera e parë që autorët dhe botuesit kanë një periudhë kohore përgatitje mbi 8 muaj, thuajse katër herë më shumë nga praktika e deritanishme. Sipas MASH mungesa e kohës për përgatitjen e teksteve shkollore ka qenë një nga dobësitë e reformës së Altertekstit. “Shumë shpejt do të bëjmë të mundur realizimin e këtij procesi në një periudhe kohore 15 mujore duke arritur një standard evropian në fushën e përgatitjes së teksteve shkollore”-deklarojnë specialistë të MASH. Reforma e bërë gjatë këtyre viteve në “Alteretekst” ka për qëllim përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë së tekstit shkollor. Ndryshe nga vitet e tjera, këtë vit u realizua bashkëshoqërimi i çdo teksti shkollor me librin e mësuesit. Masa e marr nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës për të ndryshuar afatin autorëve të teksteve shkollore të arsimit parauniversitar, si dhe botuesve shqiptar bëhet me qëllim që të realizohen tekste sa më cilësore për nxënësit.
Tregjet e hapura, ulet ndjeshëm numri i blerësve
Numri i blerësve në tregjet e hapura ka rënë ndjeshëm gjatë ditëve të fundit. Nga një vëzhgim i kryer dje në disa tregje, te “Dinamo”, “Pazari i Ri”, tregu afër shkollës “Besnik Sykja” por edhe në disa rrugë të Tiranës, ku shesin shitësit ambulantë rezultoi se numri i blerësve ishte shumë më i vogël se ditë më parë. Këtë fakt e konfirmojnë edhe vetë shitësit të cilët shprehen se shitja e produkteve këto ditë ka rënë ndjeshëm. Ata shprehen se kushtet higjeno-sanitare, në të cilat punojnë janë vërtet të vështira dhe se shumica prej tyre ishin të gatshëm t’i jepnin fund aktivitetit duke qenë se fitimet nuk u dilnin as për të paguar taksën për vendin ku punonin. Ky duket se është dhe problemi që i ka detyruar blerësit të mos zgjedhin më tregjet e hapura dhe shitësit ambulantë për të blerë produktet e tyre. Konsumatorët shprehen se preferojnë më mirë të shpenzojnë pak më shumë për produktet që blejnë me qëllim që këto produkte të jenë të kontrolluara nga instancat përkatëse dhe me vulën e sigurisë. Temperaturat e larta të ditëve të fundit kanë shtuar numrin e pacientëve në të gjitha qendrat shëndetësore. Shpesh shkak për këto përkeqësime shëndetësore janë bërë helmimet me orgjinë ushqimore. Shumica e pacientëve shprehet se produktet ushqimore i kanë blerë në tregje të hapura, në shitësit ambulantë ose i kanë konsumuar në fast-food. Duket se apeli i shumë mjekëve për të konsumuar produkte cilësore dhe të freskëta, por edhe inspektimet e fundit të autoriteteve përkatëse dhe bllokimi i disa subjekteve që tregtonin produkte ushqimore jashtë standardeve kanë arritur të sensibilizojnë një pjesë të shoqërisë në kryeqytet.
Tabela e çmimeve për disa fruta dhe perime
Perimet domate kastraveci speci qepa
Çmimiet/ kg 45 30 33 45
Fruta molla portokalli limoni pjepri
Çmimet/kg 104 62 208 32
2 Gusht 2010