E Diel, 1 Nëntor 2026

Tekstet shkollore, nga 25 gushti nis shpërndarja në shkolla



Avushe Zhuka

Ministria e Arsimit dhe Shkencës publikon datën e fillimit të shitjes së teksteve mësimore në shkolla. Nga ky institucion bëhet e ditur se 25 gushti është dita kur fillon shitja e tekstit shkollor. Prindërit dhe nxënësit do të kenë ndihmën e nevojshme të mësuesve dhe drejtuesve për të blerë tekstin e duhur. Procesi mësimor do të nis më herët këtë vit, kështu që nxënësit do të kenë dy javë kohë për të siguruar tekstet para se të filloj shkolla. Librat shkollore, për vitin 2010-2011, do të shpërndahen në shkolla dhe jo me në librari. Ky ka qenë një nga ndryshimet e reformës së Altertekstit, i cili në këtë mënyrë do të shmang problemet që janë hasur gjatë shpërndarjeve të teksteve. Një vit më parë, shpërndarja e teksteve shkollorë u shoqërua me radhë të gjata nëpër libraritë e përcaktuara për këtë shitje, kurse prindërit patën ankesa për procesin e shpërndarjes dhe blerjes së librave. MASH ka bërë të ditur procedurën që do të ndiqet gjatë shitjeve të teksteve. Libri do të shitet direkt në shkolla, ku do të vihen në dispozicion një ose dy mjedise për të gjithë botuesit që kanë fituar të drejtën e shpërndarjes së librit në një shkollë të caktuar. Të gjitha materialet shkollore që do të shpërndahen do të jenë të certifikuara, në të kundërt asnjë libër apo fletore nuk do të lejohet të hyj në ambientet shkollore ku do të bëhet shitja e tyre.

Tekstet

Subvencionimi i teksteve shkollore do të ndryshojë këtë vit. Nga MASH bëhet e ditur se tekstet për fëmijët e familjeve ku paga e kryefamiljarit është nën masën 30 mijë lekë do të subvencionohen në masën 50 për qind. Për kategoritë me asistencë, apo dhe disa kategori të tjera, librat do të subvencionohen në masën 100 për qind. Ministria e Arsimit ka vendosur që nxënësit e shkollave 9-vjeçare të përfitojnë të gjithë nga skema e subvencionimit, ndërkohë që në arsimin e mesëm do të kompensohen vetëm nxënësit, familjet e të cilëve trajtohen me asistencë nga shteti. Përzgjedhja e teksteve në shkolla u ndërtua mbi një platformë të re që shmang alternativat e ndryshme të një teksti shkollor në shkolla të përafërta. Kjo sipas MASH e bën më të lehtë shpërndarjen e librit shkollor në të gjitha shkollat e vendit. Nga ky institucion bëhet i ditur fakti se “për një periudhe 4 mujore, futemi në kërkesën e tekstit shkollor, në formën e serisë së integruar për të tre ciklet e arsimit, arsimi fillor, i mesëm, i ulët dhe i lartë”. Ky ndryshim kërkon dhe një reformim cilësor të shtëpive botuese për t’ju përgjigjur kërkesave të kurrikulës së re.

Reforma

Ministria e Arsimit ka bërë të ditur ndryshimet dhe reformat që janë bërë gjatë 5 viteve të fundit për sa i përket “Alteretekst”. Një ndër ndryshimet e bëra është shitja e teksteve mësimore në shkolla dhe jo më në librari. Sipas MASH reforma ka bërë të mundur rritjen e gamës së titujve të “Alteretekst” nga tekste shkollore të autorëve shqiptarë, në tekste të përkthyera nga shtëpi prestigjioze perëndimore. Po kështu janë bërë reforma përsa i përket teksteve mësimore të gjuhëve të huaja, ku janë ndjekur metoda të shtëpive botuese më në zë. Një tjetër reformë e ndërmarrë që MASH bën publike është futja e metodës online në mësimin e anglishtes. Për vënien në punë të kësaj metode, infrastruktura e duhur është e gatshme dhe kjo do të jetë fjala e fundit e librit elektronik shkollor. Sipas Ministrisë së Arsimit çmimet e teksteve shkollore në Shqipëri mbeten më të ultat në Europë. Disa pjesë të Altertekstit 2011 do të përmirësohen më tej mbi bazën e mendimeve të mësuesve , autorëve dhe botuesve.

2 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›