E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pasojat e individualizmit të tejskajshëm



Gëzim Tushi

Padyshim që për shoqërinë tonë është bërë shqetësim çështja e marrëdhënieve midis individit dhe shoqërisë, individuales dhe “shoqërores”. Është krijuar një situatë kaosi dhe paqartësie për të dalluar relativizmin e natyrshëm dhe dallimin korrekt të vlerave që ka në kohën moderne midis individit dhe formave sociale të organizimit kolektiv të jetës sonë. Duken qartë njëanshmëritë dhe shformimet e thella konceptuale që janë pengesë për të ndërtuar raporte të drejta dhe për të vënë në baraz-peshën që duhet të ekzistojë, këto dy komponente themelore të shoqërisë. Njëanshmëritë dhe prirjet e thella liberal individualiste nuk po na lejojnë që të gjejmë rrugën e duhur të kompozimit të dualitetit dhe rivalitetit të këtyre dy ndjenjave që janë të natyrshme tek njeriu.
Për pasojë, nëse ky diz-ekuilibër individual reflekton edhe në jetën sociale, atëherë bëhet e vështirë për të ndërtuar modalitetet e kompromisit që duhet vendosur midis individualizmit dhe komunitarizmit.
Natyrisht, është i vështirë sigurimi i ekuilibrit midis ndjenjave individuale dhe prirjeve shoqërore në kohën tonë. Kompromisi midis tyre është bërë çështje delikate nga që në shoqërinë tonë duket se njëanshmëria individualiste ka bërë që individualja dhe shoqërorja tek njeriu të jetë në relacion ambiguid dhe, siç thonë filozofët, në këto kushte, doemos që është i vështirë kompromisi midis gjërave që janë në ambiguitet apo ca më tepër në antitezë me njëra-tjetrën. Por, sipas mendimit tim, duke analizuar mënyrën format dhe intensitetin e antitezës me të cilat shfaqet kjo dikotomi ndjenjash në jetën tonë sociale dhe nga analizat që sociologjike që i kam bërë, jo vetëm realitetit, por dhe teorizimeve që “thuren” rreth raporteve delikate individ-kolektiv, individualizëm-komunitarizëm, duket se shumë paqartësi po shtohen ngaqë, edhe teorikisht kur e trajtojmë problemin individ-kolektiv, nuk e shikojmë si një raport dialektik, si një “unitet të kundërtash” të domosdoshëm, por si një relacion konfliktual që qëndron në një antitezë paradoksale.
Natyrisht, në rrugën pa kthim të emancipimit të qytetërimit tonë është gjë shumë e madhe që më në fund edhe ne shqiptarët arritëm të pranojmë dhe të mësohemi me filozofinë e individualizmit, të pranojmë faktin se çdo njeri është njëherësh një “univers”, por dhe “individ më vete”, i pavarur nga të tjerët. Në kohën tonë çdo njeri ka jetën e vet të pavarur, ka sovranitetin individual të ndërtimit të jetës, sipas “mënyrës së tij”, dhe që përgjithësisht vepron si “njësi më vete”, ose siç thotë filozofi i shquar i pragmatizmit amerikan, Xhon Djui, duke qenë në një farë mënyre në një pavarësi të gjëra nga shoqëria dhe të tjerët. Ndarja individuale e njeriut nga shoqëria, komuniteti, madje edhe nga organizimet sociale më organike dhe intime, tregon për një fenomen që filozofët e modernitetit e kanë konsideruar si prirje dominante të modernitetit dhe shprehje të tendencës jetës bashkëkohore për të zbehur “sensin komun” të natyrës së njeriut të përveçëm. Tani, çdo njeri ka, në radhë të parë, në dorën e tij “veten e vet” dhe prandaj është e fortë tendenca për të krijuar një “distancë lirie” nga shoqëria, një pavarësi nga organizimet e vjetra me natyrë deterministe dhe formë të ekzagjeruar komunitare që kanë qenë tipike për organizimin e jetës shqiptare në të gjithë kohërat para-moderne dhe para-demokratike.
Tani, të gjithë shqiptarët janë në luftë me veten për të krijuar dhe zgjeruar hapësirën e nevojshme e individualitetit, të lulëzimit të individualizmit dhe sovranitetit të jetës personale. Në të kaluarën e afërt, njeriu në shoqërinë tonë nga që ka qenë i “shkrirë në turmë” sociale, nuk ka pasur mundësi të kishte individualitet. Sepse në një shoqëri të organizuar si “totalitet i jashtëm” nuk ka “ndarje hapësinore” midis njeriut dhe shoqërisë, nuk ka kushte dhe mundësi që të mund të lulëzojë “individualiteti” i tij. Në shoqërinë tonë sot mund të ketë shumë problem dhe shqetësime sociale me shfaqjen e deformuar të individualizmit dhe individualitetit, apo dhe të shfaqen dukshëm qëndrime metafizike ndaj vlerës sociale të shoqërisë apo rëndësisë që kanë megjithatë organizimet me natyrë komunitare. Por, megjithatë, kjo e “keqe” ka të mirën e madhe dhe të paçmuar se e shpëtoi njeriun nga gjendja permanente e anonimitetit dhe “sensi komun” i imponuar dhe vulgar. Por, duket se ekuacioni individ-shoqëri, njeri-komunitet në shoqërinë tonë është zhbalancuar, dhe kjo situatë ka krijuar idenë e gabuar, të njëanshme, të deformuar dhe eksentrike, se njeriu modern individualist ka nevojë vetëm për “veten” sepse vetëm kështu është në “vetvete i vetëmjaftueshëm” dhe nuk i duhet shumë të dijë për të tjerët apo të vlerësojë shoqërinë.
Madje, në shoqërinë tonë po kultivohet ideja e skajshme se organizimet shoqërore dhe komunitare, janë pjesë e autoritetit të jashtëm që pengon njeriun në sovranitetin e jetës së vet, se format sociale janë komponentë të jashtëm të jetës që bëhen pengesë për jetën e natyrshme dhe suksesin personal të njeriut. Kjo po krijon idenë e largimit nga e vërteta, se pavarësisht prirjes individualiste të shoqërisë moderne (e cila në thelb është gjë shumë e mire). Unë e parapëlqej pa kushte liberalizimin e jetës individuale, por, përsëri nuk mund të pranojë këtë ide deri në nivelin e absurdit dhe të mendohet se koha modern për njeriun është kohë e shansit që njeriu të kalojë të gjithë kufijtë dhe barrierat e arsyeshme sociale, që janë kushti i pandryshueshëm ekzistencial i natyrës së njeriut si qenie social përfshirëse dhe ndërvepruese, në marrëdhëniet e domosdoshme dhe të dobishme që duhet të vendosë me të tjerët dhe shoqërinë në tërësi.
Nuk ka gjë më të mirë për shoqërinë shqiptare, që megjithë turbulencat dhe anomalitë e natyrshme që po kalon në rrugën e modernitetit të vet liberal dhe individualist, tani jetojmë në një shoqëri moderne dhe tashmë njerëzit tanë jetojnë në liri dhe nuk janë më “qenie anonime”, por “qenie e njësuar”, që ka identitet personal. Gjithçka bën njeriu në kohën tonë, nuk e bën në radhë të parë për shoqërinë, por për hir të nevojave dhe interesave të tij për të cilat ai “vepron dhe lëviz”. Por, nuk besoj se nuk është e drejtë që kjo prirje sociale e vërtetë në shoqërinë tonë të “kalojë kufirin”, të humbasë sensin e arsyeshëm të masës dhe të deformojë raportet ekzistenciale dhe marrëdhëniet e dobishme që duhen vendosur midis individit dhe shoqërisë. Sepse tek njeriu, sado individualist të tentojë të bëhet, në mënyrë të natyrshme, deri sa të jetë qenie sociale, ka ca lidhje që ndikojnë në shfaqjen e “sensit komun” të tij, që e lidhin atë me rrethanat paraardhëse dhe kushtet dhe lidhjet bashkëkohore.
Në këtë kontekst, sado moderne që të bëhet shoqëria, sado i thellë të bëhet individualizmi si ndjenjë sunduese e shoqërisë tone, ai kurrë nuk do të mbërrijë në limitet kritike ekzistenciale që të shfaqet në nivelin e “sendit të izoluar”. Ideja individualiste e njeriut në shoqërinë tonë në thelb është ndjenjë pozitive, nxitëse, mobilizuese dhe realizuese. Por, dëshirat e natyrshme individuale të shfaqura si prirje e njeriut për të qenë i suksesshëm nuk është deri në fund argument për të menduar se në çdo rast njeriu për të qenë i suksesshëm duhet të jetë i “izoluar” dhe i ndarë nga shoqëria, se ai kurdoherë duhet të veprojë si “individ i veçuar” për të arritur qëllimet pragmatiste të jetës. Kjo tendencë ambiguide modern, individualiste e komunitare është shpërdoruar në shoqërinë tonë duke e kundërvënë në mënyrë metafizike me shoqërinë dhe ndjenjat normale të komunitarizmit, humanizmit dhe solidaritetit social. Ndaj nuk duhet të jemi të qetë përderisa duket se është i vërtetë konstatimi social se në shoqërinë shqiptare tani teorikisht dhe filozofikisht është keqkuptuar, sociologjikisht është deformuar dhe praktikisht është ekstremizuar individualizmi deri në nivele të skajshme absurde. Nuk është në të mirë të shoqërisë fakti që individualizmi nga ndjenjë pozitive, zhvilluese, nxitëse dhe emancipuese për jetën individuale të njeriut po reduktohet në nivelin më të ulët të mënyrës së “veprimtarisë së vetëmbyllur” të njeriut, duke e mësuar atë të jetojë me një ndjenjë permanente të nihilizmit të çdo mënyrë sjelljeje sociale, të mos vlerësimit të të jetuarit individualisht, por në të njëjtën kohë në ndërveprim dhe bashkëveprim social. Sepse siç thotë me shumë të drejtë filozofi amerikan Xhon Djui “…ajo ç’ka ai bën dhe cilat janë pasojat e sjelljes së tij, ajo ç’ka përbën përvojën e tij, nuk mund të përshkruhet, e aq më pak, të llogaritet e izoluar”. (Xh. Djui, “Publiku dhe problemet e tij”, faqe 176).
Natyrisht, në shoqërinë tonë kanë ndryshuar thelbësisht nga pikëpamja konceptuale dhe empirike jo vetëm përmbajtja e koncepteve “shoqëri” dhe “shoqërizim”, por dhe mënyra e re e lidhjes dhe dialektika sociale e bashkëveprimit konceptual dhe empirik. Në jetën e përditshme nuk është e lehtë që ato të kuptohen dhe të perceptohen drejt, as në thelbin dhe përmbajtjen, por as edhe në formën e tyre. Të kuptosh thelbin e modernizuar dhe të ndryshuar të shoqërisë, të shoqërores dhe shoqërizimit, do të thotë të kuptosh esencën e marrëdhënieve te reja jetësore. Sjellja e shoqërizuar është një marrëdhënie e dukshme e njeriut me të tjerët, që sociologët modernë e kanë konsideruar “ligj universal” të çdo shoqërie. Kjo është e vërtetë edhe për shoqërinë tonë moderne të individualizuar kaotikisht. Askush nuk ka guxuar ta mohojë këtë raport dhe marrëdhënie të njeriut me shoqërinë si vlerë të dobishme dhe si realitet të domosdoshëm për ekzistencën dhe funksionimin normal të saj. Por, natyrisht ajo që shpesh ngatërrojmë është fakti se tani për shkak të zhvillimeve të deformuara, të relacioneve sociale kaotike dhe mënyrave pa të bashkëveprimit ka mungesë vlerësimit konceptual për vlerën e lidhjeve shoqërore të njeriut me të tjerët. Kjo ka bërë që të ndihet fort zbehja e solidaritetit dhe hollimi humanizmit tek njerëzit tanë. Është bërë i vështirë dallimi midis “sjelljes së shoqërizuar” që është “ligj themelor” i jetës sociale dhe ekzistencës dhe funksionimit të njeriut si “entitet social” më vete. Kjo do të thotë se, duhet të mësojmë veten, veçanërisht të rinjtë e hallakatur pas ambalazheve moderne të individualizmit ekstrem, se pavarësisht vlerës dhe utilitetit që ka “filozofia individualiste” dhe “njeriu i veçuar” nga shoqëria nuk mund të ecim në rrugën e duhur, në se nuk kemi perceptimin e duhur dhe nuk llogaritim pasojat pozitive të “veprimeve të përbashkëta” që duhen zhvilluar në shoqëri. Kjo do të thotë se nuk mund të progresojmë në rrugë normale, pa kuptuar jo vetëm thelbin e nevojës së shoqërisë dhe të veprimtarisë së përbashkët, por dhe vlerësimin e kontributit individualisht të përveçëm në formimin dhe funksionimin e shoqërisë shqiptare në kohën moderne. Raportet e reja midis shoqërisë dhe individit, midis vlerës së individualizmit dhe nevojës për veprime të pandërprera komunitare dhe qytetare, nuk mund të bëhet realitet po qe se nuk kultivojmë tek njerëzit ndjenjën e vërtetë, se shoqërinë e mban në këmbë dhe e vë në funksion jo ndjenja e kulluar e solidaritetit abstrakt, por ideja dhe ndjesia konkrete se jetojmë në shoqëri dhe mbetemi të lidhur me njëri tjetrin, jo në emër të një ndjenje të humanizmit transhedental, por për shkak se ekziston një e “mirë e përbashkët” që realizohet në shoqëri me kontributin e përveçëm të secilit prej nesh, që e ndjejmë veten qytetarë.
Në shoqërinë shqiptare sado moderne që ajo të bëhet, nuk mund të ecim në rrugën e duhur pa kultivuar masën e vlerave dhe mekanizmin e besimit për ekzistencën e pashmangshme të të “mirës së përbashkët”, që ekziston si realitet përtej perceptimit individualist të “njeriut të izoluar” nga shoqëria. Përkundrazi shoqëria jonë ka nevojë që të mirën e përbashkët ta realizojë duke vënë në punë organizimin e veprimtarisë komunitare. Shoqëria jonë nuk humbet por përkundrazi fiton po qe se fillojmë t’i edukojmë njerëzit me ndjenjën e natyrshme të jetës në shoqëri, të shoqërizimit në komunitet, po qe se “interesin e përbashkët” e bëjmë shqetësim të secilit qytetar, duke krijuar hapësirën për veprimin qytetar të shoqërizuar. Të dallosh “shoqëroren” nga “shoqërizuesja” do të thotë të pranosh ekzistencën e shoqërisë si entitet social bazal dhe i përbashkët, dhe ta dallosh në të njëjtën kohë nga veprimtaria sociale e lidhur e qytetarëve me njëri tjetrin. Kjo është thelbësore…

2 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›