Interi mbyll sezonin 2008/‘09 me 154 milionë euro humbje
Shtatëdhjetë ortakë të Interit, të cilët zotërojnë mbi 1 miliard aksione të klubit, aprovuan bilancin e skuadrës deri më 30 qershor 2009. Llogaritë janë mbyllur me 154,4 milionë euro humbje, por në këtë shifër nuk përfshihen përfitimet nga merkato e verës që kaloi. Ndërkohë, është vendosur që kapitali i klubit të rritet me 70 milionë euro, shpenzime të cilat do të mbulohen të gjitha nga Masimo Morati. Rritja e personelit (lojtarë dhe trajnerë) ka shtuar shpenzimet e klubit me 6 milionë euro në krahasim me një sezon më parë. Gjithsesi, bordi drejtues i zikaltërve ka marrë sinjale pozitive për bilancin që do të mbyllet në verën e vitit 2010. Merkato e futbollistëve solli 12 milionë euro përfitime në arkat e klubit, të cilave i shtohen edhe 62,6 milionë euro të ardhura nga kontratat e ndryshme televizive (në kampionat dhe Champions) dhe nga marrëveshjet me sponsorët. Pavarësisht humbjeve të mëdha, Interi vazhdon të jetë aktiv në merkato, ku objektivat për merkaton e janarit janë lojtarët e Udinezes, Inler dhe D‘Agostino.