E Diel, 1 Nëntor 2026

Mançester Siti mendon Roberto Mançinin

Mançester Siti po përgatit afrimin e ish-trajnerit të Interit, Roberto Mançini dhe blerjen e dy emrave të mëdhenj në repartin sulmues. I pari është francezi i Barcelonës, Tierri Henri, ndërsa objektivi tjetër është italiani Antonio Kasano, i cili pas transferimit te Samprodia është rikthyer si protagonist. Pasi morën drejtimin e klubit, sheikët arabë deklaruan publikisht se kishin besim te trajneri aktual, Mark Hjuxhs. Megjithatë, pas humbjes 3-2 me Liverpulin, investitorët e "Abu Dhabi Group" u bindën se për të konkurruar me më të mëdhenjtë, duhen emra të njohur. "CV" e Mançinit është mjaft e pasur dhe, pavarësisht largimit me polemika nga zikaltërit, ai mbetet trajneri më i suksesshëm i kampionëve të Serisë A. Sipas spekulimeve nga Anglia dhe Italia, tekniku pritet të marrë drejtimin e skuadrës gjatë verës së ardhshme. Tjetër objektiv nga kampionati italian është Kasano, i cili vazhdon të mos merret në konsideratë nga trajneri i Kombëtares, Merçelo Lipi. Talenti nga Bari duket se i ka prishur marrëdhëniet me Sampdorian dhe konfliktet u shfaqën pas humbjes në fushën e Atalantës: në gjashtë ndeshje Sampdoria ende nuk ka arritur të fitojë. Sulmuesi doli përpara mediave duke deklaruar se skuadra duhet të tregojë forcën dhe se drejtuesit duhet të përforcojnë kontingjentin. Në të gjithë këtë situatë, ish-lojtari i Romës dhe Realit të Madridit duket se po shqyrton alternativa të tjera. Për të arritur te Kasano, Mançester Siti duhet të mposhtë konkurrencën e Juventusit. Në fakt, britanikët tentuan ta blinin që prej verës së kaluar, por lojtari u përgjigj negativisht, pasi ndjehej mirë në qytetin e Xhenoas. Megjithatë, sheikët këmbëngulin dhe duan që sulmuesi të luajë përkrah Robinjos. Ndërkohë që, edhe vetë Kasano tashmë nuk duket shumë i bindur për "jo"-në, edhe pse ideja e transferimit në Angli e tremb. Nga Italia, "Gazzetta dello Sport" ka publikuar një tjetër detaj mjaft interesant: e përditshmja më e madhe sportive shkruante se më 21 shtator, Roberto Mançini dhe Antonio Kasano janë takuar për të diskutuar rreth të ardhmes së tyre të afërt.

Një tjetër objektiv mjaft i lakmuar nga Mançester Siti është edhe sulmuesi i Barcelonës, Tierri Henri. Mediat angleze theksonin se për të marrë shërbimet e francezit, drejtuesit e klubit do të bëjnë një ofertë zyrtare në merkaton e janarit. Sipas "Daily Mail", skuadra ka probleme të theksuara në finalizimin e aksioneve dhe ish-kapiteni i Arsenalit shihet si një zgjidhje optimale. Për më tepër Henri e njeh shumë mirë mentalitetin e lojës ne Premiership: gjatë aktivizimit 7-vjeçar te "topçinjtë", ai ka realizuar 174 gola. Ndërkohë 30-vjeçari nuk duket sikur është ingranuar plotësisht në Barcelonë (ku në një sezon ai ka shënuar 22 gola dhe ka dhënë 12 topa për gol), edhe sepse i mungon vajza Tea, e cila jeton në Londër.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›