E Diel, 1 Nëntor 2026

Mançester Siti, ofertë 50 mln euro për Vijën

David Vija mbetet objektivi kryesor i Mançester Sitit. Anglezët, që cilësohen si "klubi më i pasur në botë", do të bëjnë të pamundurën për të afruar sulmuesin spanjoll. Ata janë përgatitur që t‘i ofrojnë Valencias 50 milionë euro në merkaton e janarit, për të testuar vendosmërinë e drejtuesve të klubit që militon në La Liga. Menjëherë pas blerjes nga sheikët, Siti tronditi botën e futbollit, duke blerë brazilianin Robinjo, e ardhmja e të cilit dukej se do të lidhej me Çelsin. Sipas revistës "The People", trajneri Mark Hjuxhs e ka etiketuar Vijën (golashënuesin më të mirë të Euro 2008) si lojtarin që mund ta ndihmojë skuadrën të renditet mes klubeve më të forta në Premiership. Trajneri, i cili në karrierën si futbollist ka luajtur me Barcelonën, i kërkoi drejtuesve të klubit të bëjnë një ofertë fillestare. Në këtë mënyrë, Hjuxhs synon të "ngacmojë" Valencian, që deri më tani ka bërë të pamundurën për të mbajtur yllin e saj. Por, pikëpyetja më e madhe është nëse vetë sulmuesi dëshiron të largohet nga "Mestaja", pasi gjatë verës ai refuzoi ofertat e Realit të Madridit. Gjithsesi, çdo futbollist e ka një çmim dhe duke u bazuar te kjo tezë arabët, që drejtojnë Sitin, vështirë se do të tërhiqen nga realizimi i një tjetër transferimi të bujshëm.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›