E Diel, 1 Nëntor 2026

Hyda Banjska shpallet fitues i trofeut "Tirana Open 2008"

Trofeu "Tirana Open 2008" njeh padronin e tij: Ai është Hyda Banjska, kampioni i këtij edicioni të 12-të të organizuar nga Federata Shqiptare e Tenisit me sponsor të përgjithshëm Stefani&Co, ku morën pjesë 36 tenistë nga Shqipëria, Maqedonia, Kosova dhe Mali i Zi. Nën sytë e një numri jo të pakët shikuesish, tenisti kosovar, i cili jeton dhe stërvitet në Gjermani, u përball në finale me kosovarin nga Prishtina, Granit Bajraliu. Edhe pse Banjska ishte parashikuar si favoriti i padiskutueshëm për të arritur trofeun final, finalja nuk ka rezultuar krejtësisht e lehtë për të. Sigurisht, eksperienca e madhe e Hydës, i cili ka një karrierë të admirueshme si profesionist, ishte ajo që vendosi fatet e sfidës, të cilën e fitoi me rezultatin 2-0. Seti i parë u mbyll 6-2 për Banjska, ndërsa në setin e dytë rivaliteti ishte më i madh. Bajraliu e vuri disa herë në vështirësi favoritin, duke i rrezikuar fitoren. Gjithsesi, Banjska arriti të dominojë në fund, duke e mbyllur setin me rezultatin 6-4, por edhe gjithë ndeshjen me fitoren 2-0. Banjska u shpall kështu kampioni i turneut të "Tirana Open 2008". Në ceremoninë përmbyllëse, presidenti i FSHT-së, Edvin Libohova, i dorëzoi trofeun fituesit, duke shpërndarë edhe diplomat për më të mirët. Titulli i nënkampionit shkoi për Granit Bajraliun (Kosova), i treti Behar Kurteshi (Kosova) i katërti iu rezervua Genci Çakçirit (nr. 1 i Shqipërisë). "Për sa u përket kushteve në të cilat ndodhet Shqipëria, mund të them se në turne u tregua një nivel i mirë, tha kampioni Banjska. Jam i lumtur për fitoren. Luajta ndaj një rivali të fortë". Presidenti i FSHT-së, Edvin Libohova, u shpreh i kënaqur në fund të turneut: "Federata është fuqizuar edhe me afrimin e sponsorit gjeneral ‘Stefani&Co‘ dhe kemi në plan të investojmë për të plotësuar të gjitha kushtet, që të mundësojmë edhe zhvillimin e ndeshjeve natën".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›