Bici e do Lushnjën në mesin e tabelës
Largimin e ish-trajnerit Sajmir Malko, lushnjarët e kanë vuajtur vetëm për pak kohë, pasi pikërisht të hënën ka prezantuar trajnerin e ri, Vasil Bici, i cili me të filluar punën e re ka kthyer sytë në drejtim të tabelës së renditjes. "Do të vë në dispozicion të gjitha aftësitë e mia për të arritur objektivin: qëndrimin e Lushnjës në mesin e tabelës, pse jo edhe më lart, ka nënvizuar dje Bici. Njoh pjesërisht disa prej lojtarëve që kanë qarkulluar në kampionatin shqiptar në këto edicionet e fundit, gjithsesi besoj se do të bëjmë një punë të mirë në ditët në vazhdim". Lushnja është skuadra e dhjetë shqiptare që merr në drejtimin e saj si trajner Vasil Bicin. Debutimin e tij tekniku lezhjan do ta bëjë sot në takimin e Kupës së Shqipërisë ndaj Turbinës, në Cërrik. Ndërsa në kampionatin shqiptar të futbollit, skuadra myzeqare dhe trajneri i tyre i ri do të presin në shtëpi Teutën. Presidenti i ri Lushnjës është biznesmeni Ergi Duçelari, i emëruar pas dorëheqjes së kryebashkiakut Albert Sanxhaku.