Mançesteri e nis me barazim, fiton thellë Çelsi
Çelsi i dha mundësinë trajnerit të ri, Luis Felipe Skolari, që të debutonte në mënyrën më të mirë të mundshme, teksa "blutë" fituan 4-0 ndaj Portsmuthit, në ndeshjen e vlefshme për javën e parë të kampionatit anglez. Londinezët e morën kryesimin në minutën e 12-të, kur Xho Kol mposhti portierin Devid Xhejms, i shërbyer nga Mikael Balak. Nikolas Anelka përfitoi nga një hezitim i mbrojtjes mike dhe dyfishoi shifrat në minutën e 26-të. Në fundin e pjesë së parë, Frenk Lampard firmosi golin e tretë me 11-metërsh. "Pokeri" u kompletua nga Deko, një minutë para fundit. Portugezi i ardhur nga Barcelona shkëlqeu në ndeshjen e tij të parë në Premier Ligë dhe u zgjodh futbollisti më i mirë i takimit. Pas ndeshjes, Frenk Lampard, tha: "E filluam ndeshjen të vendosur për të bëtë një punë të mirë. Sezonin e kaluar nuk fituam asgjë dhe donim t'i tregonim të gjithëve se nuk e kemi harruar diçka të tillë." Nga ana e tij, Portsmuthi, fitues i Kupës së Anglisë, vazhdon traditën e zezë në "Stemford Bridxh" ku nuk fiton prej 53 vitesh.
Ndërkohë, Mançester Junajtid ka qenë e vetmja skuadër nga "katërshja e madhe", që nuk ka fituar në javën e parë. Të besuarit e Sër Aleks Fergusonit e kanë nisur mbrojtjen e kurorës me një barazim 1-1 ndaj Njukasëllit në "Old Traford". Miqtë shënuan të parët, në minutën e 22-të, me anë të Obafemi Martins, gjatë një goditje nga këndi. Përgjigja e Mançesterit erdhi 120 sekonda më vonë me golin e shënuar nga Daren Fletçer, por vetëm kaq. Në minutat e mbetura, "djajtë" nuk arritën të mposhtin portierin Shei Given. Qendërmbrojtësi Nemanja Vidiç goditi traversën, por Njukasëlli e meritoi plotësisht pikën e marë. Trajneri Kevin Kigan duhet të jetë i kënaqur nga skuadra e tij, ndërsa Ferguson ka ende dy javë kohë për të blerë një sulmues. Tevez shkoi në Argjentinë, Ronaldo është i dëmtuar dhe Runi nuk gëzon formën ideale. Ndërhyrja në merkato duket e pashmangshme. Ndeshja tjetër, që u luajt dje për javën e parë të kampionatit anglez, u mbyll me fitoren e Aston Vilës, 4-2 ndaj Mançester Siti.