E Shtunë, 31 Tetor 2026

Usain Bolt, "uragani" i 100 metrave

Atleti xhamajkan konfirmohet si njeriu më i shpejtë në botë, duke triumfuar në 100 metra

Nëse notarit amerikan Majkëll Felps iu deshën 9 ditë për të fituar 8 medaljë të arta, atletit xhamajkan iu deshën vetëm 9 sekonda që të fitojë medaljen e artë, në garën e 100 metrave në Olimpiadën e Pekinit. Madje duke vendosur rekord të ri botëror, me kohën 9 sekonda dhe 69 të qindtat. Një garë e fituar me shumë lehtësi nga atleti xhamajkan që triumfoi ndaj të gjithë rivalëve, duke i lënë ata pas në finalen e 100 metrave në garën më të bukur dhe më të shkurtër të Olimpiadës. Bolt mesa duket i buzëqesh jetës edhe në momentet më të vështira dhe delikate, siç është një finale olimpiade, duke u argëtuar gjithnjë. Në finalen e 100 metrave në Olimpiadë, atleti xhamajkan i tregoi mbarë botës së është njeriu më i shpejtë, "i biri i erës". Madje, gara e djeshme zgjati vetëm 50 metrat e para, pasi në gjysmën e dytë Bolt nisi festën, duke hapur krahët dhe duke prerë i pari vijën e finishit. Medalja e parë e artë e Xhamajkës në këtë Olimpiadë pati një shije të veçantë. "Nuk kërkoja rekordin, por medaljen, - tha Bolt pas garës. - Një ditë, rekordi im do të bjerë, ndërsa medalja e artë do të jetë përgjithnjë e imja. Pas fitores, Bolt u la takim dy rivalëve të tij, patriotit Asafa Pauell dhe amerikanit Tajson Gei, për ta sfiduar sërish në të ardhmen. Por duke parë formën e Bolt, me siguri që dy humbësit do të mendohen mirë para se të garojnë sërish me të. Bolt, që të enjten do të mbushë 22 vjeç, është i gjatë 1.96 metra dhe falë shtatlartësisë arrin të bëjë hapa prej gjigandi. Që në moshën 15-vjeçare është shpallur kampion i botës për të rinj në 200 metra. Nëna natyrë i ka dhuruar një talent, të cilin ai e ka shfrytëzuar, duke na dhuruar emocione dhe kënaqësi pafund. Ndoshta do të na duhet të presim 4 vjet të tjera, një tjetër Olimpiadë, për të parë një tjetër garë të tillë kampionësh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›