E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mancesteri fiton Kupën e Ligës në Angli

LONDER- Mançester Junajtid ka fituar trofeun e parë sezonal, duke mposhtur 2-1 Aston Vilën në finalen e Carling Cup, të luajtur të dielën në “Uembli”. Ka qenë sërish Uejn Runi ai që ka shënuar golin e fitores për “Djajtë e Kuq”, të cilët duket se varen shumë nga forma e sulmuesit të kombëtares angleze. Megjithëse Kupa e Ligës apo siç njihet ndryshe Carling Cup, është më pak e rëndësishme se Kupa e Anglisë, ajo e ka çuar në 34 numrin e trofeve të fituar nga Aleks Ferguson në pankinën e Junajtid. Finalja ka nisur në mënyrën më të vështirë për Mançesterin, pasi Aston Vila kaloi në avantazh pas vetëm 5 minutash me një penallti të shndërruar në gol nga Xhejms Milner. Në minutën e 12-të Majkëll Ouen shënoi golin e barazimit, ndërsa në fundin e pjesës së parë ai u dëmtua duke i lënë vendin Uejn Runit. Ky i fundit u bë edhe heroi i finales, duke shënuar golin e fitores në minutën e 74-t, pas një krosi të të zakonshmit Antonio Valencia. Në fakt, megjithëse me disa ndryshime në formacion, Mançesteri e dominoi ndeshjen, por në shumë raste portieri Fridëll nuk lejoi prekjen e rrjetës.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›