Seria A, Inter e Milan fitojnë sërish
MILANO- Ndërsa Interi fitoi 3-2 në Udine, Milani ruajti hapin e kryesuesve, duke mposhtur 3-1 Atalantën në San Siro. Aleksandre Pato ishte heroi i ndeshjes, duke shënuar një dopietë, por më pas ai pësoi një dëmtim muskular në kofshë, që do ta lërë jashtë në sfidat vendimtare me Romën dhe Mançester Junajtid. Ndeshja ka nisur pak e vështirë për kuqezinjtë, pasi ishte Atalanta ajo që bëri lojën. Milani kaloi në avantazh me anë Patos në minutën e 30-të, pas një kombinimi mes Ronaldinjos e Ambrozinit. 4 minuta nga mbyllja e pjesës së parë është sërish sulmuesi brazilian ai që shënon pas një tjetër asisti të Ronaldinjos, duke e çuar Milanin në avantazh të dy golave në pushimin mes pjesëve. Në pjesën e dytë, Milani ka ngadalësuar disi dhe Atalanta gjeti golin me anë të Valdes në minutën e 57-të. Një gol që u duk se rihapi ndeshjen, por në të vërtetë minuta e 61-të sjell një penallti për Milanin, pasi Manfredini bëri një faull ndaj Bonerës. Ronaldinjo gaboi përballë Konsiljit, por Borrielo e dërgoi topin në rrjetë. Ndërkohë, Roma ka bërë një tjetër hap fals, duke u barazuar 2-2 nga Napoli edhe pse ishte duke udhëhequr 2-0 deri çerek ore para përfundimit. Në takimet e tjera, Kievo mposhti 2-1 Kaljarin, ndërsa Xhenoa u mund 3-4 në shtëpi nga Bolonja. Parma ndërkohë mori 3 pikë duke mundur 1-0 Sampdorian, ndërsa Siena triumfoi 2-1 në transfertë kundër Livornos.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)