E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama garanton

Rama u bëri të qartë dje partive apo individëve që po sulmojnë PS-në, se socialistët që përfaqësojnë shumicën e shqiptarëve nuk do të ndalen në rrugën e tyre

Kryesocialisti Edi Rama garantoi partitë e vogla, aleate ose jo, se bashkëpunimi për ndryshimet kushtetuese nuk ka synuar aspak goditjen e tyre. Rama u bëri të qartë dje partive apo individëve që po sulmojnë PS-në, se socialistët që përfaqësojnë shumicën e shqiptarëve nuk do të ndalen në rrugën e tyre. Kreu i PS-së theksoi se askush nuk mund ta ndalë frymën e politikës së re, pjesë e së cilës nuk është rikthimi tek politika e vjetër e kundërakuzave. “Shpreh keqardhjen për të gjithë agresionin verbal të kohëve të fundit në adresën time e të Partisë Socialiste dhe uroj që të gjithë ta kuptojnë edhe më mirë sot, se kjo parti përfaqëson shumicën e shqiptarëve e shqiptareve, dhe as shantazhohet e as ndalet në rrugën e saj të re. Por, e përsëris, ne jo vetëm nuk do t’i rrëmbejmë armët e politikës së vjetër të akuzave, shpifjeve, fyerjeve e sharjeve për t’ua kthyer me të njëjtën monedhë atyre që nuk ditën të ruajnë fillin e arsyes në rrugën e këtij ndryshimi në interes të Shqipërisë e të shqiptarëve”, - deklaroi ai, ndërsa shtoi se ndryshimet e vërteta e radikale janë e vetmja mënyrë për të realizuar ëndrrën e të gjithë shqiptarëve. Ai nënvizoi se socialistët do të pranojnë bashkëpunimin vetëm me ato forca politike dhe individë që i bashkëngjiten interesit të përbashkët, të zhvillimit të vendit e jo e politikës së vjetër që bazohej në interesat personale e jo të qytetarëve. “Është koha e forcës së qetë dhe jo e gjuhës së forcës. Është koha e rikonceptimit të filozofisë së bashkëpunimit mes të gjitha forcave e individëve që duan fundin e tranzicionit, fundin e politikës së vjetër dhe fundin politik të simbolit të kësaj politike, kryeministrit Sali Berisha. Është koha e vënies së interesave të Shqipërisë në axhendën e një bashkimi të ri, mbi çdo aritmetikë të vjetër koalicionesh, ku lihen pas dere qytetarët e interesat e tyre. Në këtë bashkim të ri janë të ftuar të gjithë”, - sqaroi Edi Rama. Kryetari i PS-së e konsideroi miratimin e reformës zgjedhore si mbylljen e një kapitulli të zgjatur deformimesh, që cenonte imazhin e shqiptarëve në sytë e ndërkombëtarëve. Sipas tij, në ballafaqimet e ardhshme zgjedhore asnjë parti nuk mund të marrë më atë që nuk i takon. “Kërkojmë ta bëjmë ne dhe ky është thelbi i bashkimit të ri”, shprehet Rama. Më tej, i pyetur për mundësinë e vendosjes së një pragu të korrektuar kombëtar, Rama përjashtoi çdo ndryshim. “Ne nuk do të bëjmë asnjë arnim të një sistemi të konsoliduar në një nga demokracitë më të mëdha evropiane dhe ju siguroj se ky sistem nuk e pengon bashkimin e ri si një koalicion forcash progresiste që shtrihen nga ato aktuale në Parlament, deri tek forca shoqërore e individit, që përditë po bashkohen me Partinë Socialiste, me këtë frymë që ne po kultivojmë së bashku me shqiptaret e shqiptarët në të gjithë Shqipërinë, në emër të kësaj nevoje jetike, që të ndahemi nga një politikë e vjetër që ka zhgënjyer dhe rizhgënjyer për 17 vjet me radhë shqiptarët”, - theksoi lideri i PS-së. Sipas tij, nisma e re nuk është ndërmarrë nga PS-ja për të përjashtuar nga konkurrimi aleatët e dikurshëm apo të së ardhmes. Ai rikujtoi se me socialistët në betejën zgjedhore të 2009-ës, do të mund të bashkohen të gjithë ata që duan t’i japin fund politikës së dështuar të 17 viteve të fundit. Rama ftoi të gjithë aleatët ta kuptojnë përpjekjen e PS-së, si rolin e domosdoshëm të partisë më të madhe në vend, për të çliruar politikën nga konflikti dhe lufta për pushtet, të cilat u kanë sjellë deri më sot vetëm keq qytetarëve shqiptarë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›