E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Do të rishikojmë skemën e ndihmës ekonomike

Socialistët prezantuan dje enciklikën për çështjet sociale, pjesë e hartimit të programit qeverisës. Kreu i PS-së bëri një fotografi të gjendjes së marrë nga "Dialogu me Shqipërinë", i zhvilluar në rrethe të ndryshme të vendit gjatë muajit janar. "Varfëria në Shqipëri ka përmasa rajonale, kështu zonat fshatare dhe malore në mënyrë të ndjeshme janë më të varfra sesa pjesa tjetër e vendit", tha Rama. Sipas tij, llogaritja për frymë e varfërisë në zonat fshatare është 66 për qind më e lartë sesa në Tiranë dhe 50 për qind më e lartë sesa në zonat e tjera urbane. Ndërsa konsumi për frymë në zonat fshatare është rreth katër të pestat e nivelit të konsumit në zonat urbane. "Familjet në zonat e thella malore, sidomos në pjesën veriore dhe verilindore të vendit, janë dukshëm më të varfra se në zonën e ulët dhe atë bregdetare. Pothuajse gjysma e banorëve në këtë zonë janë të varfër, kurse më tepër se një e pesta jetojnë në varfëri të skajshme", nënvizoi Rama. Ai konstatoi se niveli i varfërisë ekonomike është më i lartë në veri e në verilindje të Shqipërisë. "Natyra pasive e skemës së ndihmës ekonomike nuk e ndihmon familjen e varfër për të dalë nga situata e varfërisë", u shpreh Rama. Lideri opozitar insistoi se në 17 vjet asnjëherë nuk është bërë një deklarim i minimumit jetik në Shqipëri. Duke shprehur gjithashtu besimin se përcaktimi dhe deklarimi i minimumit jetik është pika themelore nga ku duhet startuar për të pasur një politikë vizionare dhe afatgjatë në raport me pensionet. Duke iu referuar të dhënave të enciklikës, Rama vuri theksin në faktin se duhet një rikonceptim i ndihmës ekonomike në vend, që ajo të mos jetë më në kuadrin e një lëmoshe. "Vlera reale e pagesës së ndihmës ekonomike është ulur 27% në zonat urbane dhe 17% në zonat rurale, gjë që mesatarisht përbën 15% të kufirit të varfërisë", sqaroi Rama. Sipas tij, duke i krahasuar me vendet e Evropës Lindore dhe të Ballkanit, pensionistët shqiptarë kanë nivelin më të ulët të mbështetjes sociale. Duke u ndalur më gjatë te çështja e pensioneve të fshatit dhe të qytetit, kryetari i PS-së rikujtoi edhe premtimin elektoral të qeverisjes aktuale për dyfishim të pensioneve. "Edhe pse kanë kaluar 32 muaj nga mandati, jo vetëm që nuk janë dyfishuar, por përkundrazi është hedhur poshtë si i pavërtetë një premtim me të cilin u është marrë vota pensionistëve në korrik 2005", tha Rama. Ndaj, sipas tij, tanimë tingëllon si tallje, por është një fakt që në qershor të vitit 2005 Kryeministri Berisha dhe Partia Demokratike premtuan dyfishim të pensioneve dhe rritje më të madhe të pensioneve të fshatit se të qytetit. "Asnjë pensionist në qytet nuk duhet të kishte sot një pension më të vogël se 15 mijë lekë në muaj. Pas 30 muaj të qeverisjes aktuale, pensionet e pleqërisë në qytet janë rritur as aq sa inflacioni gjatë këtyre 30-muajve", konstatoi Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›