LSI: është ulur niveli i të ardhurave
Lëvizja Socialiste për Integrim u shpreh dje jashtëzakonisht e shqetësuar për thellimin e pandalshëm të varfërisë së qytetarëve shqiptarë. Nënkryetarja Filloreta Kodra vlerësoi se rritja e çmimeve të ushqimeve, të energjisë elektrike, të karburanteve, si dhe rritja e nivelit të taksave për qytetarët me të ardhura të mesme e të ulëta ka ulur në mënyrë drastike nivelin e të ardhurave, duke i çuar sipas saj qytetarët në kufijtë e mbijetesës. "Sot shqiptarët paguajnë më shumë për bukën e përditshme; brenda një viti çmimi i bukës dhe drithërave është rritur 31,6%", tha Kodra, duke u ndalur te fakti se paguhen më shtrenjtë shërbimet e domosdoshme mjekësore që janë rritur brenda një viti 4,7% dhe shërbimet e transportit me një rritje prej 6,8%. Kodra insistoi në faktin se rritja e inflacionit 4,6% brenda një viti rrezikon prishjen e ekuilibrit makroekonomik në vend, duke marrë përmasa të cilat kanë dalë jashtë kontrollit të kësaj qeverie. Ndërsa shtoi se ky realitet është në kundërshtim të plotë edhe me orientimet e marrëveshjen e nënshkruar me FMN-në. LSI-ja i kërkon qeverisë shqiptare të mos fshihet pas deklaratave për mosndërhyrje në lojën e tregut, por të marrë masa për frenimin dhe kontrollin e rritjes së çmimeve, në mënyrë që ekonomia të mos dalë jashtë kontrollit. Lëvizja Socialiste për Integrim kërkon kompensimin e menjëhershëm të pagave, pensioneve dhe të gjitha të ardhurat që përfitojnë personat në nevojë, për shkak të rritjes së inflacionit, pagesa e ndihmës ekonomike, paaftësia, përkujdesi.