Meta: Nuk e ngatërroj Partinë Socialiste me Edi Ramën
Tre aleatë sfiduan dje Partinë Socialiste, duke mbledhur më vete tryezën e koalicionit. Meta, Milo dhe Ceka tentuan t‘i bëjnë presion publik selisë rozë, që ajo të ndryshojë qëndrimin për reformën zgjedhore. Sakaq, PS-ja dhe PSD-ja e kanë shoqëruar në heshtje të plotë këtë tryezë, duke mos preferuar të bëhen pjesë e debatit. Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, konstatoi se lidhja e shkurtër Rama-Berisha ka disa kohë që po funksionon. "Kreu i Partisë Socialiste është rreshtuar në një pozicion me Kryeministrin Sali Berisha", tha Meta. Ndërsa shtoi se kjo është vënë re jo vetëm për reformën, por edhe për detaje të tjera të qeverisjes. "Dje dëgjova një deklaratë të padëgjuar më parë, se sistemi zgjedhor nuk paska lidhje me qeverisjen, kjo është një nga gjërat më qesharake", ironizoi Meta fjalimin e Ramës. Duke e konsideruar sistemin e propozuar prej socialistëve si antikombëtar. "Nuk kemi problemet që ka Spanja", vijoi Meta, sipas të cilit nuk duhet të barazohet Edi Rama me Partinë Socialiste dhe as kjo e fundit me lidershipin e kapur nga Sali Berisha. Ish-kryeministri insistoi fort te kundërshtimi i paketës së propozimeve PS-PD për reformën. Po aq i ashpër ishte edhe Presidenti i Partisë Aleanca Demokratike, Neritan Ceka. Ai vlerësoi se ajo çka po bëhet në Komisionin e Ligjeve nuk është asgjë tjetër veçse një "Mukje" që bën pasardhësja e Partisë Komuniste. "Kjo është Mukja që i bëhet opozitës shqiptare, një tradhti në momentin kur Sali Berisha është në një pikë kritike", nënvizoi Ceka. Ai e denoncoi këtë moment, duke kërkuar gjithashtu që politika të çlirohet prej "Delijorgjëve", të cilët gjenden në të dyja forcat politike. Sakaq, kreu i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, shpresoi se të gjithë bashkë do mund t‘i thonë ndal këtij grushti shteti. "Një grusht institucional, elektoral dhe antikushtetues, që dy partitë kryesore, padyshim të vjetra, po përpiqen të bëjnë", theksoi Milo. Ai përsëriti apelin publik për lidershipin e Partisë Socialiste, që të ndahet nga bashkëpunimi me Berishën. Pas prononcimeve publike, takimi mes tre kryetarëve të majtë ka vijuar me dyer të mbyllura. Burime nga partitë sqaruan se janë diskutuar lëvizjet e ardhshme të këtyre partive. Ata mësohet të kenë nënvizuar rëndësinë e koordinimit edhe me partitë e tjera të spektrit të djathtë në këtë linjë qëndrimi. Duke pasur si bazë të debatit marrëveshjen e nënshkruar prej nëntë partive të vogla para pak kohësh. Meta, Milo e Ceka kanë shprehur vendosmëri për të mos toleruar miratimin prej PS-PD të paketës së ndryshimeve në Kushtetutë. Neritan Ceka, tha pas takimit, se Partia Socialiste dhe ajo Demokratike duhet t‘i kthehen dialogut me aleatët respektivë. Duke nënvizuar se çështja e reformës duhet të zgjidhet fillimisht brenda koalicionit dhe më tutje në tryezën e komisionit të posaçëm të reformës zgjedhore. Tre krerët e partive të majta, ndonëse jo zyrtarisht, kanë konfirmuar edhe bashkëpunimin me Partinë Socialdemokrate të Skënder Gjinushit, pavarësisht se kjo nuk ishte prezente në takimin e organizuar dje mes tre aleatëve të majtë. Gjithë këto deklarata u shoqëruan veçse nga heshtje prej selisë rozë. Kjo e fundit duket ta ketë konsumuar këtë moment me deklarimet e kreut socialist para dy ditësh, që shprehu keqardhje për aleatët.