E Diel, 1 Nëntor 2026

Mancini Synojme te fitojme titullin dhe Europa League

Sporting Lisbona ka mjaft besim përpara sfidës së parë në histori me Mançester Sitin në kupat e Europës. Portugezët janë optimistë për ndeshjen me “sitizëns” në turin e 1/8-ave në Europa League, edhe sepse nuk njohin humbje në nëntë takimet të zhvilluara në shtëpi në aktivitetet ndërkombëtare.
Duke vlerësuar ecurinë e Sportingut, trajneri i Sitit, Roberto Mançini ka deklaruar se skuadra e tij nuk e ka të sigurt fitoren, por italiani shpreson se me paraqitjet në kampionat dhe në kupat e Europës, skuadra e tij do të arrijë të fitojë trofe.
“Të gjitha skuadrat portugeze janë të forta dhe nëse kundër tyre nuk luan mirë, atëherë rrezikon shumë. Pra për ne është e rëndësishme të zhvillojmë një paraqitje të mirë. Kanë mbetur edhe dy muaj nga mbyllja e sezonit. Kryesojmë kampionatin dhe duam të fitojmë titullin në Angli, ashtu sikurse kërkojmë të triumfojmë edhe në Europa League. Nuk do të jetë e lehtë, pasi luajmë çdo tre ditë, por kemi një skuadër të mirë dhe me lojtarë cilësorë”
Mançini konfirmoi edhe gjobën me një rrogë javore për sulmuesin Mario Baloteli, ndërsa bëri të ditur se Siti do të luajë sot në Portugali pa mesfushorin Jaja Ture.
Në anën tjetër, trajneri i sapo-emëruar i Sportingut të Lisbonës, Rikardo Sa Pinto theksoi se skuadra e tij nuk ndihet inferiore dhe se në nivelet e larta të futbollit, fakti se cili ekip niset favorit nuk ka shumë rëndësi.
“Kjo ndeshje do të jetë e ndryshme nga të tjerat. Në nivelet e larta të futbollit nuk ka shumë rëndësi cila skuadër niset si favorite. Skuadrat më të forta, ashtu siç është edhe Mançester Siti japin më të mirën në çdo përballje. Nëse shikojmë kundërshtarët, mund të themi se ata kanë pak pika të dobta, megjithatë në një ndeshje gjithçka mund të ndodhë”.
Ndeshja e parë do të luhet në stadiumin “Zhoze Alvalade” me kapacitet prej 50 mijë vendesh, ndërsa takimi I kthimit do të luhet në “Etihad Stadium” më 15 mars.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›