E Shtunë, 31 Tetor 2026

Talentet që po i shuajmë vetë

Nga Prishtina, Ejup LLUMNICA
Gjithsesi, për të depërtuar në një skuadër shumë më të madhe dhe të arrish t'i tregosh vlerat e mirëfillta të një futbollisti duhet të kesh edhe një përkrahje të fortë, mirëpo kur të mohohet cilësia është shumë e padrejtë. E kjo si duket po u ndodh futbollistëve tanë, të cilët, edhe pse janë shumë cilësorë dhe meritojnë të jenë pjesë e skuadrave të mëdha, vendin ua zënë disa futbollistë të tjerë, që për nga cilësia janë mbrapa tyre, por këtë e arrijnë nëpërmjet rrugëve të tjera (miqve). Dëshmia më e mirë ishin rastet e fundit, kur dy futbollistë të kampionit të Kosovës, Besës së Pejës, Fetim Kasapi dhe Mensur Duraku, të cilët me cilësinë që kanë vërtet meritojnë skuadra shumë të mëdha, nuk arrijnë t'i kalojnë provat, njëri në Besën e Kavajës e tjetri në Flamurtarin e Vlorës, skuadra këto që bëjnë gara në elitën e futbollit të Shqipërisë, dhe, për fat të keq, vendin e tyre e zënë disa futbollistë që për ekspertët e futbollit nuk meritojnë të jenë para Kasapit e Durakut. Kjo gjë ndodhi edhe me rastin e shpalljes së listës së Përfaqësueses së Kosovës në futboll, nga përzgjedhësi Edmond Rugova. Ishte e qartë se Rugova për shkak të mosnjohjes së futbollit që zhvillohet në Kosovë, duhej të kërkonte edhe ndihmën e trajnerëve të Superligës së Futbollit që ata t'ia propozonin futbollistët që meritojnë të jenë në përfaqësuese. Dhe cfarë ndodh? Lojtarët e propozuar, jo që nuk ftohen në përfaqësuese, por as nuk shqyrtohet pozita e tyre. Këtë e dëshmoi edhe ish-trajneri i Trepcës '89, Gani Sejdiu, i cili me shumë mllef thekson se lojtarët që janë përfshirë në përfaqësuese nga radhët e Trepcës '89 nuk janë propozuar nga ai, gjë e cila na bon të kuptojmë se ata kanë arritur në listën e Edmond Rugovës nëpërmjet një rruge tjetër! Fakti tjetër që dëshmon se në futboll depërtohet me lidhje, ishte edhe deklarata e vet përzgjedhësit Rugova, i cili thekson se në përfaqësuese ka ftuar futbollistët që momentalisht janë duke kaluar formën më të mirë. Mirëpo, kjo sikur nuk vlente për sulmuesin Haxhi Zeka, i cili në atë kohë ishte golashënuesi më i mirë në elitën e futbollit të Kosovës dhe vetëm pas një kohe të shkurtër edhe u shpall futbollisti më i mirë i Kosovës nga vetë trajnerët e elitës së futbollit tonë. A nuk e demanton kjo Rugovën? E thamë këtë sepse nëse dëshirojmë që një ditë edhe ne të garojmë me skuadrat e rajonit, me këso gjëra nuk mund të arrijmë asgjë. Për momentin jemi vetë ata që po i shuajmë talentet, duke i anashkaluar ata me futbollistë që kanë njerëz në pozita të larta. Futbolli me të "njofshëm" nuk shkon, apo jo!?

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›