Mançini humb toruan me sulmuesin Kreg Belami
LONDER- Te Mançester Siti ka plasur skandali Kreg Belami, siç e kanë quajtur mediat angleze. Pas një seance stërvitore të ditës së enjte, trajneri Roberto Mançini ka humbur toruan me futbollistin uellsian, duke e thirrur në fushë dhe duke i ulëritur që të largohej dhe të mos dukej më në skuadër për 3 muaj. Sipas asaj që shkruajnë Times dhe The Sun, ajo që ka shkaktuar reagimin e ashpër të trajnerit italian të Mançester Sitit ka qenë refuzimi i Belami për të bërë një stërvitje ekstra, që të rikuperohej nga dëmtimi në gju. Në atë pikë, Mançini e ka thirrur Belami në zyrën e tij dhe aty ka shpërthyer. “Pse ke gjithnjë diçka për të kundërshtuar gjatë stërvitjeve apo ndeshjeve? Pse nuk bën atë që të kërkoj?, - ka ulëritur italiani. - Dua që të largohesh dhe mos të të shoh më për 3 muaj!”. Në pasditen e së premtes, vetë Mançini ka dalë në një konferencë për shtyp dhe e ka minimizuar këtë episod, por pa e përgënjeshtruar atë. “Folëm kokë më kokë në zyrën time si trajneri me lojtarin, por nuk ulërita për asnjë moment, - tha trajneri italian i Mançester Sitit. Tani nuk kam asnjë problem me të, përderisa Kreg është duke u stërvitur me ne”, u shpreh Roberto Mançini.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)