Venger akuzon arbitrin Martin Hanson
LONDER- Një ditë para ndeshjes me Sandërlendin në Premier Ligë, trajneri i Arsenalit Arsen Venger, iu rikthye edhe njëherë ndeshjes së Champions League kundër Portos, duke akuzuar rëndë arbitrin e ndeshjes Martin Hanson. Ai e quajti atë inkompetent, duke thënë se gjyqtari nuk duhet të kishte lejuar që futbollistët e Portos të nisnin goditjen e lirë brenda zonës, pa fishkëllimën e tij. I pyetur nëse Hanson, i cili ishte arbitri që lejoi golin me dorë të Francës kundër Irlandës, duhet të arbitrojë akoma në Champions League, Venger u përgjigj: “Nuk e di, unë zakonisht u besoj gjyqtarëve, por ai nuk dha një penallti 100 për qind të pastër për Roziçkin dhe më pas lejoi atë gol të çuditshëm. Për mendimin tim, kthimi i topit nga Sol Kembëll ishte aksidental. Për mendimin tim, arbitri bëri të paktën 5 gabime të rënda”, deklaroi Venger. Ai e akuzoi gjithashtu Hanson se në momentin që portieri Fabianski i dha topin, pozicioni i gjyqtarit ishte tërësisht gabim. “Kjo nuk ka asnjë lidhje me rregullat që duhet të ndjekin gjyqtarët, kështu që mendoj se ishte një in-kompetent”, u shpreh trajneri i Arsenalit.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)