Mançini kërkon trofeun e parë
Kanë kaluar 34 vjet qysh kur Mançester Siti ka fituar një trofe të madh, qysh prej vitit 1976, kur Siti fitoi Kupën e Ligës, por tani tifozët shpresojnë se në drejtimin e Roberto Mançinit ka ardhur koha. Mançester Siti do të përballet me “vëllanë e madh”, Mançester Junaitid të mërkurën në ndeshjen e parë gjysmëfinale të “Carling Cup” dhe një kualifikim me kampionen e Anglisë do të thoshte shumë për një prej klubeve më të pasur në botë. Trembëdhjetë trajnerë të Mançester Sitit kanë dëshruar në raport me Aleks Fergusonin e Mançester Junaitid, qysh kur skocezi mbërriti në “Old Traford” në vitin 1986. Tani është radha e Roberto Mançinit, i cili në shtatë vite karrierë si trajner në Serinë A në Itali fitoi tre kampionate dhe katër kupa të Italisë. Impakti i ish-trajnerit të Interit në Angli ka qenë i menjëhershëm dhe i bujshëm: tri ndeshje, tri fitore, asnjë gol i pësuar. Dy skuadrat janë ndeshur midis tyre në 153 ndeshje në të gjitha kompeticionet. Mançester Junaitid ka fituar 62 takime, Mançester Siti 41 dhe 49 ndeshje janë mbyllur në barazim. Në ndeshjen e fundit (20 shtator 2009), Mançester Junaitid fitoi 4-3 me Sitin, por në bankinë ishte Mark Huges.
“Xhuxhi” Lala, shembull suksesi në Gjermani
TSV 1860 Munih, klubi gjerman i Bundesligës 2 ka angazhuar mesfushorët Eke Uzoma (1,68 m) dhe Aleks Ignjosvki (1,75 m). Trajneri Eduald Lienen, i cili ka drejtuar më parë Hanover 96 midis viteve 2004 dhe 2005 tha për “Abendzeitung: “Ne kemi pasur atëherë në mesfushë Guzmanin dhe Lalën (1.72 m), të cilët ishin shumë të suksesshëm, dhe të dy nuk ishin as më trupvegjël apo më të mëdhenj se Uzoma dhe Alksandar Ignjoski”.
Katania, dy vjet kontratë për Bogun
Erjon Bogdani duket se është pranë kalimit te Katania. Madje media italiane ka folur edhe një për një ofertë të kenaqshme për sulmuesin shqiptar, një kontratë dyvjeçare. Së fundo Bogdani shënoi një gol në fitoren 4-0 në miqësoren e Kievos kundër Sambonifacese (skuadër e kategorisë së tretë italiane, Lega Pro, Seconda Divisione). Sipas “Gazzeta Dello Sport”, drejtori sportiv i Kievos, Sartori, do të diskutojë me Bogdanin mundësinë e kalimit te Katania. Trajneri i Katanias, Sinisa Mihajloviç, ka këmbëngulur fort për sulmuesin shqiptar.
Fiton Mainc, Hyka me infeksion
Mainc 05 i Jahmir Hykës fitoi 7-0 me Real Puerto të kategorisë së katër spanjolle, në testin e parë të vitit 2010 gjatë fazës përgatitore në Andaluzi të Spanjës, por mesfushori shqiptar nuk luajti asnjë minutë. Sipas faqes gjermane, Fokus.de, Hyka, ashtu si dhe Tim Hogland, vuajnë për momentin nga një infeksion në zorrë.
Bajerni kërkon reduktim pagash
Bajerni i Munihut do t’i nënshtrohet operacioneve financiare. Drejtori i ri sportiv, Kristian Nerlinger, kërkon të reduktojë pagesat e futbollistëve, duke kërkuar kufizimin e tyre. “Pagat duhet të kenë një kufi, duhet të këtë një kufizim. Lojtarët nuk duhet mendojnë se zgjatja e kontratës do të thotë më shumë para”, - tha Nerlinger për portalin gjerman “Kicker”.
Dalin në ankand syzet e Maradonës
Syzet me brilant të Diego Armando Maradonës, të sekuestruara nga policia financiare italiane gjatë shtatorit të vitit të kaluar, do të dalin në ankand, më 14 janar 2010. Baza e çmimit fillestar të shitjes në ankand nuk është fiksuar, por çmimi paraprak mund të vërtitet rreth 4 mijë euro.
Roberto Karlos kërkon Kupën Libertadores
Roberto Karlos nënshkroi me Korinthians në Brazil. Ish-ylli i Kommbëtares braziliane dhe Realit të Madridit u prezantua përpara 3 mijë tifozëve. 36-vjeçari nënshkroi një kontratë dy vjeçare pasi u largua nga klubi turk Fenerbahçe. Synimi i Roberto Karlosit është fitimi i Kupës Libertadores, versioni amerikanojugor i Ligës së Kampionëve. Korithians është klubi i dytë më popullor në Brazil pas Flamengos.
Patrik Vieira pranë Lionit
Mesfushori i Interit, Patrik Vieira, mund të jetë përforcimi i radhës i Olimpikut të Lionit në Francë. Bernard Lakomb, këshilltari special i presidentit Olas, duke folur për “Europe 1”, e konsideroi real afrimin e Vierasë. “Është folur shumë, kam folur me Patrikun para tre javëve. Është një lojtar i madh. Patrik nuk ka probleme me paratë, ka shumë dëshirë të luajë me ne. Objektivi i tij qëndron Kupa e Botës dhe ai vetë e ka thënë, se nëse do të kthehej në Francë do ta bënte vetëm për fanellën e Olimpikut të Lionit”.
5 Janar 2010