Gabimet mjekësore me pacientët, Hana: Të sigurohen mjekët
Propozimi i ISKSH: Të përmirësohet legjislacioni për të mos rënduar buxhetet e spitaleve. Duhet të bëhet një ndërhyrje në ligj, në mënyrë që mjekët dhe stafi mjekësor të kenë sigurimin e profesionit
Paratë e dëmshpërblimit të pacientëve për gabimet mjekësore të bluzave të bardha nuk duhet të dalin nga buxhetet e spitaleve. Pas lidhjes së kontratave me spitalet në të gjithë vendin, ISKSH ka konstatuar disa prej problemeve që lidhen me buxhetet e spitaleve, një prej të cilëve është dëmshpërblimi i pacientëve nga fondet e spitalit. Në këto kushte, drejtoresha e Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, Elvana Hana, propozon krijimin e një ligji për sigurimin e stafit mjekësor për gabimet njerëzore në profesion, një praktikë kjo e njohur në vende të ndryshme të botës. “Sektori shëndetësor është nga natyra përdoruesi më i madh i fuqisë punëtore, prandaj negociata me mjekët dhe stafin mjekësor janë shumë elemente të rëndësishëm, në mënyrë që pagesat ndaj tyre të marrin vërtetë vlerën e shërbimit ndaj pacientit. Kështu, vetëm vitin e fundit kanë rënduar buxhetet e spitaleve e (për pasojë edhe shërbimin ndaj pacientit) 3 raste (2 në Vlorë e 1 në Lushnjë) me një shumë rreth 31 milionë lekë të reja, që ka lidhje të drejtpërdrejtë me sigurimin e profesionit. Kemi të bëjmë me hedhjen në gjyq nga ana e pacientëve të mjekëve apo stafit mjekësor për mjekim joprofesional. Me vendim të prerë të gjykatës, pacientët kanë përfituar shumën e lartpërmendur për shkak të gabimeve mjekësore. Çështja qëndron se për likuidimin e pacientëve janë përdorur fondet e spitaleve, të cilat në fakt kanë destinacion tjetër, si barna, paga, sigurime etj”, - shprehet Hana. Pikërisht për këtë arsye, që fondet të mos ndryshojnë destinacion, duhet të bëhet një ndërhyrje në ligj, në mënyrë që mjekët dhe stafi mjekësor të kenë sigurimin e profesionit, sikurse kanë juristët apo profesione të tjera, nga ku mund të mbulohen faturat financiare të gabimeve mjekësore. Sipas drejtoreshës së ISKSH-së, megjithëse situata aktuale në këtë drejtim nuk është shqetësuese, ajo mund të kthehet në boomerang nëse nuk bëhen rregullimet e duhura ligjore. “Shifrat ende nuk janë shumë shqetësuese krahasimisht me buxhetin e spitaleve, por në aftat të gjatë duhet menduar seriozisht për përmirësimin e legjislacionit për sa i përket sigurimit të profesionit. Ky problem mund të kthehet në një boomerang nëse nuk i paraprihet që tani me rregullimet përkatëse ligjore”, - deklaron drejtoresha e ISKSH-së, Elvana Hana. Por, duke qenë se për të rregulluar këtë situatë nevojiten së pari ndryshime ligjore, ISKSH nuk ka ende detaje konkrete se si do të bëhet sigurimi i mjekëve. Tashmë gjithçka është në kuadrin e propozimit, nëse institucionet përgjegjëse, Ministria e Shëndetësisë, ISKSH dhe grupet e interesit do të bien dakord, do të ngrihet një grup pune që do të përcaktojë edhe modalitetet e sigurimit.