E Diel, 1 Nëntor 2026

Mandatet e dyshimta të PD-së

Të paktën pesë mandate deputetësh janë të dyshimta. Ish të zgjedhur vendorë kanë konkurruar në zgjedhjet e përgjithshme, ndërkohë që Kushtetuta e Shqipërisë e ndalon në mënyrë absolute. Nëse një gjë e tillë vërtetohet, shumica e sotme shkon përkohësisht në 69 mandate, të pamjaftueshme për të qeverisur vendin. Shqipëria politike rrezikon skandalin më të madh në kuptimin e legalitetit të qeverisjes, sepse gjithçka lidhet që nga dita e konstituimit të Kuvendit, përfshi dhe formimin e qeverisë, do të ishte thjesht e pavlefshme dhe nul absolut nga pikëpamja e pasojave juridike. A ka sot në Kuvend të paktën 71 mandate të ligjshme deputetësh? Sipas rregullores së Kuvendit dhe procedurës së betimit të tyre, ky numër është më i lartë dhe shkon në 74, por sipas Kushtetutës së Shqipërisë, ka dyshime të arsyeshme që nuk është kështu. Dhe se Kuvendi ka nisur punimet nën shumicën e thjeshtë të tij, pra me vetëm 69 deputetë, sepse pesë nga ata kanë mandat antikushtetues.

Kush janë deputetët e dyshimtë?

Pak kush e mban mend sot një mbledhje të tensionuar të KQZ-së, ndërkohë që vazhdonte fushata elektorale. Përfaqësuesi i Partisë Socialiste në këtë komision, Genc Gjonçaj, ngriti shqetësimin se në fushatë merrnin pjesë, të rreshtuar në listën e Partisë Demokratike e LSI-së, pesë kandidatë të cilët mbanin funksione shtetërore të papajtueshme me mandatin e deputetit. Ata ishin Bedri Hoxha, bashkia Klos, PD; Ndue Paluca, kryetar i Komunës Otllak, LSI; Gert Bogdani, kryetar i njësisë 10, Tiranë, PD; Besnik Dushaj, Fierzë, PD; Lefter Maliqi, kryetar i Komunës Otllak, Berat, PD. Vetë kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, atëherë deklaroi se një fakt i tillë u duhej bërë i ditur kandidatëve për deputetë, kurse përfaqësuesi i PD-së në komision, Njazi Kosovrasti, shkoi edhe më tej: Edhe sikur ta japin tani dorëheqjen që gara ka filluar, nuk ka më asnjë vlerë. Mandati i tyre nuk është i ligjshëm. Vetë Kosovrasti tha për "MAPO"-n se reagimi i tij i dikurshëm ishte një sqarim për ligjin. Ai tha se dorëheqja e këtyre kandidatëve, sipas Kodit Zgjedhor, nuk depozitohet në KQZ, por komisioni vetëm merr njoftim për një fakt të tillë. Kosovrasti tha se nuk kishte dijeni nëse kishte ndodhur apo jo dorëheqja sipas kërkesës taksative të Kushtetutës. Të njëjtin pohim bën dhe Subashi, e cila kujton se në mes të muajit të fushatës elektorale, Gerd Bogdani ka dërguar një letër në KQZ, ku njoftonte se kishte dhënë dorëheqjen e tij. Për Kuvendin e Shqipërisë duket se të paktën në sipërfaqe dilema të tilla nuk ekzistojnë. I mbledhur në mungesë të opozitës, në fillim të shtatorit, ky ishte një detaj që afërmendsh do të kalonte pa u vënë re. Rregullorja e Kuvendit përcakton se në mbledhjen e parë të tij, Kuvendi ngre Komisionin e përkohshëm për Verifikimin e Mandateve. Komisioni ka shqyrtuar vlefshmërinë e mandateve dhe nuk ka gjetur paligjshmëri në to, përfshi dhe çështjen e të pestëve. Por nuk mbaron këtu. Nuk ka asnjë afat kohor, të paktën sipas Kushtetutës, që verifikimi i pavlefshmërive të mandateve të kufizohet. Në çdo kohë, një ankimim i mundshëm në Gjykatën Kushtetuese do të hapte një hetim kushtetues për mandatet e dyshimta të të pesë deputetëve. Për shkak të shifrave të pamjaftueshme, nëse këto mandate rezultojnë të pavlefshme, atëherë gjithçka ka ndodhur në Shqipërinë politike që nga mbledhja e Kuvendit, përfshi dhe krijimin e qeverisë dhe gjithë ligjet e miratuara deri më tani, janë absolutisht të pavlefshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›