E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mandati i Seserit, arrihet konsensusi

Kuvendi bëri me dije zyrtarisht se mazhoranca dhe opozita ranë dakord sot në mbledhjen e Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve që të hartohet një raporti i përbashkët dhe më pas t’i dërgohet Parlamentit në seancën e së enjtes për miratim.

Në mbledhjen e sotme, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, u propozoi anëtarëve të Këshillit, që ky rast specifik dhe i paprecedent, i cili evidenton edhe një boshllëk në Kodin Zgjedhor për t’i dhënë zgjidhje çështjes në fjalë, të adresohet në punën e Komisionit për Reformën Zgjedhore, në mënyrë që raste të tilla të mos përsëriten më.

Pas votimit të raportit, që pritet të miratohet,çka do të thotë të pranohet dorëheqja e Bardhit, Kuvendi do t’i drejtohet Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili do të marrë një vendim më pas për të zëvendësuar Bardhin, dhe ku sipas listës së kandidatëve, do të jetë Edison Konomi.

Në një prononcim për mediat, deputeti Kastriot Islami tha se në këshill u ra dakord për 3 pika të rëndësishme. "Ishte një mbledhje për gjetjen e një zgjidhjeje. U miratuan disa momente që ky mandat nga pikëpamja ligjore i takon PS-së. E dyta, që ky problem të zgjidhet me shpejtësi dhe mos të ketë asnjë zvarritje dhe e treta: mbi bazën e propozimit të anëtarëve të PD-së që kjo çështje t'i çohet Kuvendit për të marrë vendimin përfundimtar për ta kthyer në KQZ që kjo çështje specifike të mos përsëritet", tha Islami.

Sipas deputetit Islami, njëkohësisht anëtar i Këshillit të Mandateve, u vendos të veprohet kështu për të mos prishur atë frymë bashkëpunimi të krijuar në funksion të procesit të integrimit në BE. Gjithashtu, sipas Islamit, në Këshillin e Mandateve është kërkuar që komisioni i reformës zgjedhore të plotësojë boshllëqet që kanë krijuar këtë fenomen, i cili është i pari në këtë drejtim.

Prej më shumë se tre muaj, Partia Socialiste, ka një deputet më pak në Parlament, pas dorëheqjes së deputetes Rudina Seseri, e cila po angazhohet në Amerikë. Ajo mori shumë pak pjesë në seancat plenare, por ikja përfundimtare u shoqërua edhe me një rast unik në Parlament. Përballë kësaj situate, KQZ-ja vendosi në janar të këtij viti të zëvendësonte Seserin me kandidatin në listën pasardhëse, që ishte Gjon Bardhi.

Ky i fundit ka dhënë dorëheqjen, por nuk është betuar në Parlament, çka ligjërisht nuk mund të quhet deputet. Nëse do ta bënte një veprim të tillë, do t’i duhej më parë të jepte dorëheqjen si kryetar i Bashkisë së Fushë Krujës. Partia Socialiste kërkon nga ana tjetër që në Kuvend të futet kandidati tjetër në radhë që është Edison Konomi. /S.Lleshi/Start/

                                                                                             2012-04-11 13:40
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›