Mandati i Seserit dhe anëtari i KLD-së, sot në Kuvend

Kuvendi i Shqipërisë, pritet të votojë sot kandidatin për anëtarin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, pas largimit të Kreshnik Spahiut.
Kandidati i propozuar nga mazhoranca Elvis Çefa, aktualisht Drejtor i Agjensisë së Kompesiomit dhe Kthimit të Pronave do të jetë përballë të propozuarit të PS-së Ardian Visha, ish-prokuror dhe avokat i njohur. Deputetët e Kuvendit do të votojnë sot në mënyrë të fshehtë për një nga kandidatët e propozuar nga dy forcat kryesore politike në vend.
Në seancën e sotme plenare, përveç votimit për anëtarin e ri të Këshillit të Lartë të Drejtësisë pritet të merret edhe një vendim tjetër i rëndësishëm, që do të zgjidhë ngërçin ligjor për mandatin e deputetit socialist të lënë bosh nga Rudina Seseri.
Pas dy javësh beteje politike mandati i Rudina Seserit do të zgjidhet në rrugë parlamentare duke shmangur kështu Gjykatën Kushtetuese. Opozita dhe mazhoranca në Këshillin e Mandateve kanë rënë dakort që t`i drejtohen Kuvendit me një raport të përbashkët ku pritet ti thuhet po tërheqjes të mandatuarit Gjon Bardhi.
Pas miratimit në seancë të raportit, Kuvendi pritet ti drejtohet Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve për zëvendësimin e mandatit me ermin e radhës në listën e socialistëve për qarkun e Durrësit që do të jetë Edison Konomi.